Derbi i Londrës shkon për Arsenalin, që mposhti me përmbysje 2-1 Tottenhamin në “Emirates Stadium”, në një sfidë spektakolare që pati gjithçka për një ndeshje futbolli, si karton të kuq, gol spektakolar e penallti.

Vetëm pak para sfidës, trajneri spanjoll Mikel Arteta përjashtoi nga formacioni dhe dërgoi në tribunë kapitenin Pierre Emenick Aubamyang për çështje disiplinore, ndërsa “topçinjtë” hynë menjëherë mirë në ritmin e ndeshjes.

Në minutën e 19-të, Mourniho humbi shërbimet e sulmuesit korean Hueng Min Son, që u dëmtua dhe u zëvendësua nga Erick Lamela, ndërsa pikërisht argjentinasi zhbllokoi sfidën me një gol mjaft të bukur në të 33-ën.

Reagimi i Arsenalit ishte mjaft i mirë dhe pas disa sulmeve të rrezikshme, ishte danezi Odegaard, që riktheu baraspeshën, pasi gjuajtja e tij nga brenda zonës, gjeti devijimin e Alderweireld dhe përfundoi në rrjetën e portës së Hugo Lloris.

Pjesa e dytë nisi më mirë për Tottenhamin, por kur dukej se “Spurs” po merrnin kontrollin e lojës, ishte Davinson Sanchez që shkaktoi një penallti naive ndaj Lacazette dhe sulmuesi francez nuk e pati të vështirë të shënojë nga 11 metrat golin e avantazhit për “topçinjtë”.

Ndeshja u komplikua edhe më shumë për Tottenhamin në minutën e 76-të, kur Erick Lamela mori kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën me një futbollist më pak për minutat e mbetura të takimit.

Ndonëse në inferioritet numerik “Spurs” arritën të shënojnë me Harry Kane, por goli u anulua për pozicion jashtë loje, ndërsa pak më vonë ishte portieri gjerman Leno që shmangu golin e barazimit me një pritje spektakolare.

Vërshëllima finale e arbitrit Michael Oliver la në fuqi suksesin 2-1 të Arsenalit, që ngjitet në kuotën e 41 pikëve, ndërsa Tottenham mbetet me 45 pikë dhe i largohet edhe më shumë zonës europiane të renditjes.