Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, foli për krijimin e rrjetit të qyteteve ballkanike B40 në kuadër të samitit që sot dhe nesër mbahet në Stamboll të Turqisë.

Në samit marrin pjesë 24 kryebashkiakë nga 11 vende, të cilët diskutuan sot disa çështje kyçe që prekin qytetet e Ballkanit – si transformimi dixhital, demokracia urbane dhe bashkëpunimi ekonomik. Bëhet fjalë për ngritjen e Rrjetit B40 të qyteteve nga Ballkani i cili do t’i hapë rrugë bashkëpunimit mes qyteteve dhe shkëmbimit të përvojave pozitive për zgjidhjen e problemeve urbane.

– Kemi një mundësi reale për t’u bashkuar rreth një nisme të rëndësishme, një nisme prej 40 qytetesh që bashkoi të gjithë Ballkanin. Sot, në Stamboll, kemi mundësinë të flasim se sa të ndryshëm janë qytetet tona, por ka edhe gjëra që na lidhin si përkushtimi ndaj tranzicionit të gjelbër, transformimi dixhital, qytetet gjithëpërfshirëse në të cilat të gjithë duam të mundësojmë pjesëmarrjen aktive të qytetarët tanë në politikëbërje. Por, mbi të gjitha, bashkëpunimi ekonomik mes qyteteve tona është ajo që duhet të na bashkojë, për t’u mundësuar qytetarëve tanë të jetojnë në një qytet më të bukur. Ky duhet të jetë synimi i bashkëpunimit tonë në të ardhmen, tha sot kryetarja Arsovska.

Ajo shtoi se kjo është një nismë e rëndësishme që për herë të parë bashkon qytetet ballkanike në një platformë unike.

– Besoj se me këtë iniciativë do të mund të tregojmë se mund të bashkëpunojmë, se mund të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe se mund të mundësojmë rritje dhe zhvillim për qytetet dhe qytetarët tanë. Që këtu, nga Stambolli, të fillojmë të ndërtojmë ura të miqësisë, bashkëpunimit dhe solidaritetit dhe të tregojmë se mund të jemi të suksesshëm nëse së bashku i zbatojmë këto iniciativa, tha Arsovska.

Sipas mikpritësit të samitit, kryetarit të bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu, 24 qeveritë vendore nga Ballkani sot po krijojnë një bazë të re për bashkëpunimin dhe zhvillimin e një vizioni të ri për të ardhmen e qyteteve dhe të gjithë rajonit.

– Për dekada me radhë, fjalët “Ballkan” apo “Ballkanizim” janë përdorur në literaturën ndërkombëtare për të përshkruar ndarjet etnike, mosmarrëveshjet kufitare dhe konfliktet. Megjithatë, sot jemi këtu për të hapur një faqe të re për rajonin tonë. Ne u takuam së bashku për të ndërtuar një bashkëpunim më të fortë dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë. Besoj se rrjeti B40 që filluam sot do të jetë një rrjet paqeje dhe demokracie mes qyteteve ballkanike. “Pluralizmi, barazia gjinore, drejtësia dhe shteti i së drejtës janë po aq të rëndësishme dhe të nevojshme për qeveritë lokale sa edhe për vendet,” tha Imamoglu në një fjalim në samit.

Kryebashkiakët pjesëmarrës në samit u zotuan se do të bashkëpunojnë dhe do të krijojnë politika për përmirësimin e qyteteve dhe Ballkanit, në përputhje me vizionin evropian.

Në kuadër të samitit, gjatë ditës së nesërme kryetarja Arsovska do të ketë takime bilaterale me kryetarët e komunave nga qytetet e rajonit.