Afet Jashari
Me publikimin e programit vjetore, si çdo vjet edhe sivjet, u bë një zhurmë e madhe mediale pa fakte dhe pa analiza për shpërndarjen e buxhetit. Nëse flasim në përgjithësi, komisionet – në bazë të buxhetit që është paraparë – i ndajnë mjetet në bazë të vlerave të përgjithshme dhe ndarje proporcionale regjionale dhe etnike. Më habit një fakt se si ka mundësi të bëhet një zhurmë kaq e madhe, por aspak nuk flitet se si janë ndarë për 10 vjet të tëra, madje më shumë, milionat pa kurrfarë kontrolle? Megjithatë, sa arrij ta kuptoj unë, ata që janë kritikues ndaj Ministrisë së Kulturës flasin për diçka që është sjellë, por që nuk është realizuar. Kështu, nga 5.560 aplikues, mbi 2000 kanë marrë dritë jeshile nga ana e komisioneve profesionale. Ajo që duhet të thuhet është se Ministria e Kulturës, përkatësisht komisionet, kësaj radhe kanë qenë të detyruar nga vet ministri Asaf Ademi, që të kalojnë vetëm ato projekte që i përmbushin kushtet ligjore. Prandaj, nëse ministri Asaf Ademi ka ndonjë faj ai është se e ka zbatuar me përpikëri ligjin. E nëse respektimi i ligjit në këtë shtet është skandal, atëherë përfundimisht duhet t’i fikim dritat nga ky vend. Kjo për të gjithë ishte një mësim në vete: ose do t’i respektojmë rregullat dhe ligjet që vet i miratojmë për të gjithë njësoj ose të mos aktrojmë shtet e ministri të Kulturës. Me këtë rast duhet të përkujtoj se këtë vit për 3.283 punëtorë, që punojnë në institucionet nacionale dhe lokale kulturore në Maqedoni, për herë të parë do të ketë nivelizim të rrogave, do të ketë ngritje të rrogave dhe vlerësim të njëjtë, pra kulturë të barabartë për të gjithë. Por, këtë lajm pozitiv askush nuk e debaton. Madje, as ata që do të përfitojnë nga kjo. Konstatimi i fundit është se në Maqedoni, sa i përket sferës së kulturës, ende hasim papjekuri për transparencë, kualitet, vlera dhe profesionalizëm.