Fabrikës për prodhimin e makinave elektrike në Tetovë tani e pesë muaj i mbeti vetëm gurë themeli. Ndonëse ishte paraparë brenda tetë javësh të nisin punimet për ndërtimin e fabrikës, që nga 13 gushti përveç lopatave të kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, ministrave, drejtorëve dhe krerëve të partive, asnjë vegël tjetër nuk u pa në parcelën “E-Go” në Zonën e Zhvillimit Teknologjik-industrial në Tetovë.

“Sot do të hidhen bazat për një investim që vetëm në fazën e parë peshon 130 milionë euro dhe që do të hapë të paktën 890 vende të reja pune”, pati deklaruar Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Në përvjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e gjithë qeveria dhe kryesia e BDI-së u mblodhën në ceremoninë e fabrikës, në të cilën shteti është partner në projekt dhe duhet të sigurojë 33% të vlerës së investimit ose rreth 45 milionë euro. Por, ata sigurojnë se ka mekanizëm mbrojtës që të mos dështojnë paratë e taksapaguesve që janë planifikuar për investim në fabrikën gjermane të automobilave elektrike.