Rreth 3 mijë amendamente ka dorëzuar deri më tani opozita shqiptare për ligje të ndryshme. Qëllimi i vetëm është bllokimi i çdo ligji tjetër në Kuvend, deri sa të arrihet marrëveshje për pr/ligjin e tyre për shtetësinë, për të cilin janë të gatshëm të diskutojnë për çdo pikë.

“Për çdo pikë, qoftë edhe për dëshmitarët, për çdo pikë ka hapësirë për ndryshim. E vetmja gjë që nuk ka hapësirë për ndryshim është tua zgjidhim hallin atyre që kanë nevojë për zgjidhjen e halleve”, theksoi Skender Rexhepi nga koalicioni ASH-AAA.

Gjuha e përbashkët për zhbllokim mund të gjendet edhe në kuadër të Kuvendit, thotë shefi i grupit parlamentar ASh-AAA, Skender Rexhepi. Nëse ka takim liderësh, që dje e përmendi Kryeministri Zoran Zaev, Rexhepi beson se aty nuk do të flitej vetëm për shtetësinë por edhe për çështje të tjera.

Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitreski, thotë se takimi liderëve është punë e liderëve. Fton kolegët e ASH-AAA të ulen dhe të gjejnë zgjidhje në përputhje me standardet ndërkombëtare, ndërsa ripërsërit qëndrimin se pr/ligjin e dorëzuar nuk mund ta mbështesin, sepse nuk mund të rregullohet as me amendamente.

“Në konsultim me deputetët tanë, juristë dhe ekspertë që na qëndrojnë në dispozicion si grup deputetësh mendojmë se ai ligj nuk mund të korrigjohet as me amendamente”, u shpreh Jovan Mitreski nga LSDM.