Nuk është hera e parë që zyrtarë të BDI-së si ato të nivelit lokal dhe qendror keqpërdorin situatën me pandeminë Covid 19 për interesa të tyre partiake.
Ministrat e BDI-së, siç ishte rasti i atij të ekonomisë Kreshnik Bekteshi, promovoi masat ekonomike nga selia e BDI-së, duke promovuar projekte me paratë e taksapaguesve të këtij vendi. Të njëjtin veprim e bëri edhe zv.ministrja e financave Shyrete Elezi.
Këtë praktikë abuzuese, me shëndetin publik të qytetareve e praktikojnë edhe krerët e komunave që udhëhiqen nga BDI, shpesh herë duke përzgjedhur ose selinë e BDI-së ose prapaskenën e saj duke harruar se ata si kryetar komunash duhet të jenë në interes të të gjithë qytetarëve dhe jo votuesve të tyre dhe militantëve partiak.
Kryetarët e Komunës së Dibrës Hekuran Duka, dhe ai i Çairit Visar Ganiu defiluan para logos së tyre të BDI-së duke na bërë të kuptojmë se logoja e tyre partiake edhe në kohë pandemie është më e rëndësishme se shëndeti dhe jeta e qytetareve tanë.
Kërkojmë nga Komisioni Antikorrupsion që sa më parë të reagojë për sjelljen e pahijshme të zyrtarëve të BDI-së që pozitat e tyre institucionale i vënë në shërbim të rejtingjeve të tyre dhe në dispozicionin të përfitimit politik.