“Nesër në ora 14:00 pritet të jetë i zgjidhur problemi me mungesën e ujit në Tetovë” premtoi sot drejtori i Ndërmarrjes Publike “Tetova”, Xhelal Ceka, vetëm disa minuta pasi nga Aleanca për Shqiptarët akuzuan se kjo mungesë e ujit vjen si pasojë e hapjes së rrugëve në Leshnicë, në mënyrë që të ju mundësohej “oligarkëve të afërt me pushtetin për të ndërtuar hidrocentrale”, akuza të ngjashme edhe nga “Eco Guerila”, shkruan Portalb.mk.

Sot bëhen pikërisht një javë nga kur tetovarët nuk kanë ujë, as për pije e as për pastrim. Muzafer Etemi nga Aleanca për Shqiptarët theksoi se shkak për këtë janë hidrocentralet e ndërtuara nga persona të afërt me pushtetin.

“Në bazë të informacioneve tona, ky problem është shkaktuar diku në Malësinë e Tetovës, ndërmjet fshatit Bozofcë dhe Leshnices, ku ka patur rrëshqitje (erozion) toke, me çka është dëmtuar ujësjellësi që furnizon qytetin e Tetovës me ujë. Erozionet e këtilla shkaktohen si pasojë e hapjes së rrugëve që çojnë drejt hidrocentraleve të shumta private të oligarkëve të afërt me pushtetin e që po ndërtohen kudo duke shkatërruar bjeshkë e male, bashkë dhe gjithë ekosistemin dhe bukuritë e Malit Sharr. Tetova jo vetëm këto shtatë ditë por vazhdimisht ka pasur probleme me ujin e pijshëm, por rasti i fundit ka tejkaluar durimin e çdo tetovari që po përballet me mungesën e ujit” tha Muzafer Etemi, kryetar dege i ASh-së në Tetovë.

Ky i fundit i bëri thirrje kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi dhe Qeverisë së RMV-së që sa më shpejtë të ndërmarrën masa për zgjidhjen e këtij problemi.

Rikujtojmë se tre ditë më herët, nga organizata joqeveritare “Eco Guerila” gjithashtu ngritën dyshime se ky defekt në rrjetin e ujësjellësit ka të bëje me hidrocentralet që janë ndërtuar dhe ata që po ndërtohen aktualisht në Leshnicë.

“A e dini se ditët e fundit Tetova ka qenë pa ujë? Arsyet: në Malin Sharr, në lokacionin e Leshnicës në kaptazhën e porsandërtuar ka rrëshqitje të mëdha të dheut me çka është dëmtuar seriozisht rrjeti. Pasojat: vetëm 300 metra afër kaptazhës është ndërtuar një nga mini-hidrocentralet e shumta që po shkatërrojnë natyrën në Malin Sharr. A e dini se Drejtorja e Inspektoratit të ambientit jetësor Ana Petrovska në muajin nëntor pat paralajmëruar që nga ndërtimi i hidrocentralit në Malin Sharr, në lokacionin e Leshnicës mund të ndotet uji për pije dhe të rrezikohen qytetarët e Tetovës të mbesin pa ujë. Pat ngritur dyshime për lejet e ndërtimeve. Dhe pikërisht sot ai paralajmërim bëhet realitet. Organizatat ambientaliste dhe ekspertët me vite ju kanë paralajmëruar për këto pasoja katastrofale” shkruan në mes të tjerash, në letrën që “Eco Guerila” ja dërgoi kryeministrit Zaev.

Drejtori i NP “Tetova”, Xhelal Ceka: Problemi do të zgjidhet nesër, s’ka të bëje me hidrocentrale
Xhelal Ceka theksoi se nesër në ora 14:00 pritet që ky problem të konsiderohet i mbyllur, ndërsa theksoi se aktualisht punëtorët e NP “Tetova” janë në Leshnicë dhe po punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira.

“Shpresojmë që nesër nga ora 14:00 ta quajmë të mbyllur këtë problem. Kërkojmë mirëkuptim nga të gjithë qytetarët, ne nuk kemi qëndruar duarkryq, momentalisht furnizohemi me 200 litra në sekondë, dhe janë të lëshuar 4 puset në qytet. Ata të cilët dëshirojnë zgjidhjen e këtij problemi para së gjithash jemi ne, punëtorët e ndërmarrjes. Ne jemi munduar të ju informojmë se është një defekt shumë serioz, kemi të bëjmë për rrëshqitje të tokës diku në 60 metër, i gjithë gypi e ka nxjerrë nga rrëshqitja e dheut dhe gjithë gypin e kemi të hedhur në lum. Është bë porositja e tubave, çuarja e tyre deri në Leshnicë me shumë telashe të mëdha” tha Xhelal Ceka, drejtor i NP “Tetova”.

Ai shtoi se aktualisht punët janë 90% afër përfundimit, nesër pritet që të bëhet lidhshmëria e gypave në mënyrë që të lëshohet uji në Tetovë ashtu si ka qenë para defektit.

“Vendi ku punohet paraqet një rrezikshmëri shumë të lartë për të gjithë punëtorët që punojnë me mekanizëm atje, unë u jam shumë falënderues atyre njerëzve që rrafsh 7 ditë janë në teren dhe punojnë. Me shpresë dhe me ndihmën e Zotit nesër mbyllet ky problem, dhe ne jemi 90% afër përfundimit, nesër bëjmë lidhshmërinë e gypave dhe shpresojmë që do të përfundoje kjo telashe. Do kisha dashtë që ju si gazetarë të vini dhe ta shihni në çfarë kushtet punojnë ata punëtorë dhe për të siguruar ujin, rrezikojnë jetët e tyre” shtoi Ceka.

Ndryshe, tash një javë Tetova ka mungesë të ujit për pije dhe jo vetëm, kjo për shkak të defektit të tubit kryesorë që furnizon qytetin e Tetovës nga ujësjellësi i Leshnicës, është dëmtuar nga rrëshqitja e dheut.