Dokumenti që ne sot do ta shpalosim para jush, është fakt për një manipulim. Edhe pse në shpalljen publike për punësimin në Spitalin e Specializuar “13 Nëntori”, qëndron se të punësuar duhet të jenë një shqiptar dhe një rom, në vendimin e po këtij spitali për kandidatët e pranuar qëndrojnë emra të nacionalitetit maqedonas. Aleanca për Shqiptarët kupton se kjo është një metodë e përdorur nga kjo qeveri për të manipuluar me shifrat e të punësuarve shqiptar, dhe nacionaliteteve tjera, sepse ata shumë lehtë nesër dalin dhe thonë në spital apo ku do qoftë tjetër, janë punësuar shqiptar dhe rom sepse në vendim ashtu edhe shkruan. Tomisllav Jankullovski, shqiptar dhe Vllatko Kallqinovski, rom.

“Balanseri” i shumë përmendur, është mjet elektronik, prandaj aty futet numri i të punësuarve shqiptarë dhe jo emrat e mbiemrat e tyre për t’i identifikuar nëse me të vërtetë janë shqiptar apo jo. Kjo metodologji e njohur si balanser është krijuar nga qeveria e kaluar VMRO-BDI, me idenë për të ruajtur përfaqësimin e shqiptarëve në
administratën shtetërore dhe publike, por realisht balanseri paraqitet pengesë për rritjen e numrit të shqiptarëve në administratë.

Balanseri praktikisht është mekanizëm për të ruajtur status quo-në dhe pozicionin diskriminues në administratën publike dhe shtetërore.

Ne si Aleancë për Shqiptarët reagojmë ashpër ndaj manipulimeve të tilla, dhe kërkojmë përgjegjësi si për këtë rast ashtu edhe për të gjitha rastet tjera për manipulime të tilla. Nga kjo vëmë në pikëpyetje çdo shifër që tregon numrin e të punësuarve shqiptar në nivel shtetëror sepse vlerësojmë se nuk është i vërtetë, por në bazë të këtij dokumenti është thjeshtë manipulim i kësaj qeverie.

Aleanca për Shqiptarët, këtë problem e trajton edhe në programin zgjedhor për zgjedhjet e 12 prillit dhe ne parashikojmë që në përbërjen e ardhshme parlamentare të iniciojmë ndryshim  të ligjit për nëpunës shtetëror me të cilin  kjo metodologji e njohur si balanser do të hiqet nga përdorimi, për shkak se është metodë diskriminuese për shqiptarët.

Kujtojmë ministrin Mançevski, se pikërisht në ministrinë e tij, përfaqësimi i shqiptarëve është nën 20%.