Aleanca për Shqiptarët sot në konferencë për shtyp e vlerësoi si skandaloz vendimin e Gjykatës së apelit për lirimin nga paraburgimi biznesmenin Orce Kamçev.
“Këto ditë në vend mediat njoftuan për një tjetër vendim skandaloz të Gjykatës së Apelit në Shkup. Lirohet edhe një bashkëpunëtor i regjimit të kaluar dhe atij hibrid aktual të udhëhequr nga Ahmeti-Mijalkov-Zaev. Në të njëjtën mënyrë, si shumë kriminelë të tjerë, lirinë e bleu edhe Orce Kamçev, një nga të akuzuarit kryesorë për veprat më të rënda të keqpërdorimit të parave të qytetarëve. Kamçevi, ashtu si Mijallkovi, e blen lirinë me paratë që dyshon se i ka vjedhur nga xhepat tuaj. Ky rast, si në rastet e mëparshme, vetëm sa konfirmon atë që ne kemi konstatuar prej vitesh. Në Maqedoninë e Veriut mafia krijoi shtet, mafia merr shtetësi, ndërsa qytetarët që nuk kanë 11 milionë euro mbahen të pafajshëm nëpër burgje”, theksoi në konferencë për shtyp, deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Adnan Neziri.
Ai porositi se drejtësia është vonë, por nuk harron dhe se të gjithë ata që kanë nevojë një ditë do të mbajnë përgjegjësi dhe qytetarët e pafajshëm do ta ndjejnë dhe gëzojnë lirinë.