Këto ditë, Ministria e Punëve të Brendshme festoi 41 vjetorin e njësitit policor “tigrat”, e cila edhe pas katër dekadave nuk ka asnjë shqiptar në radhët e veta. Me këtë njësi diskriminimi dhe ofendimi i shqiptarëve bëhet i dyfishtë. Jo vetëm që nuk pranohen, por edhe nënçmohen me arsyetimin se pranohen vetëm ata që kanë aftësi fizike dhe psiqike.
Sot ky njësit për shqiptarët mbahet mend vetëm si i tillë që ka përgjakur shqiptarët që nga themelimi i shtetit, si në ngjarjet e Bit Pazarit, Strugës, Tetovës, Gostivarit, në konfliktin e vitit 2001 dhe në çdo aksion tjetër me radhë. “Tigrat” operojnë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku partia shqiptare në pushtet, BDI, shpesh herë është mburrur se ka pasur zëvendësministra e një kohë edhe ministër. Meqë “tigrat” quhen njësit anti-terrorist, pyesim Qeverinë, mos vallë shqiptarët që ua ndalon pjesëmarrjen i trajton si terroristë apo të paaftë dhe të pabesueshëm për shtetin!?