Aleanca për Shqiptarët mohon kategorikisht zërat se ata po zhvillojnë bisedime me kryeministrin Zaev për kyçjen e kësaj partie në qeveri gjatë rikonstruimit që pritet të ndodhë gjatë fundjavës.

Zëdhënësi i kësaj partie, Flakron Bexheti për Zhurnal thotë se shkrimet në disa mediume se kinse ne po zhvillojmë bisedime me kryeministrin, janë krejtësisht të pavërteta dhe njëkohësisht tendencioze.

Ai tha se si Aleancë ata nuk pranojnë të bashkëqeverisin me BDI-në sepse sipas tyre ata janë fajtorë i shumë ngecjeve të proceseve, dhe si zgjidhje të vetme për dalje të kësaj situate i shohin zgjedhjet e parakohëshme.

“Shkrimet e tilla nëpër disa portale janë të pavërteta dhe tendencioze. Nuk kemi patur takime me Kryeministrin Zaev dhe as që është biseduar kjo çështje ne forumet partiake. E vërteta është se ne si subjekt politik jemi të interesuar të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, aq më tepër ngase nuk ka datë për bisedime me BE, as ne qershor as në gusht, por edhe nuk është e sigurtë se do të ketë në tetor, dhe ky momentum politik kërkon përgjegjësi politike të Qeverisë, e cila ka dështuar në përmbushjen e reformave të premtuara ne fushën e drejtësisë, dhe kjo po reflektohet me mos marrjen e datës për negociata me BE-në. Kryeministri Zaev duhej ta mbante fjalen e dhenë se në rast se nuk ka datë në qershor mund të kete zgjedhje të parakohshme. Ne si Aleancë nuk pranojme të bashkëqeverisim me BDI, sepse ne duam ta fitojme atë, sepse është ndër faktorët kryesore i ngecjes se shumë proceseve politike dhe integruese. Neve na duhet mandati dhe legjitimiteti i votuesve shqiptar, sepse jemi treguar konzistent në veprimet tona politike. Zgjedhjet e parakohshme do të ishin zgjidhja më e mirë!”, ka deklaruar për Zhurnal, zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti.

Disa mediume vendore kanë shkruar se Kryeministri Zaev i ka ofruar Aleancës për Shqiptarët, Ministrinë e Pushtetit Lokal duke e larguar RDK-në nga Qeveria. Deri të premten priten edhe emrat zyrtarë të ministrave të rinj, ndërsa jo zyrtarisht Qeveria e re pritet të votohet në seancën e 24 ose 25 qershorit, varësisht agjendës së Kuvendit. Ndërrimi i drejtorëve do të bëhet pas konsultave me ministrat e rinj dhe të njëjtit do të ndërrohen në disa faza. Nga BDI nuk komentojnë paralajmërimet e Zaev për shumicë të re, por thonë se kapitulli i ndryshimeve mbyllet në fund të muajit. Edhe nga Lëvizja Besa thonë se nuk kanë zhvilluar negociata me Zaevin për tu bërë pjesë e Qeverisë.