Përfaqësuesit e komunës Çashkë të Velesit realizuan takim me ministrin e arsimit Pishtar Lutfiu për të gjetur zgjidhje për problemin e nxënësve shqiptarë të cilët arsimohen në gjuhën maqedonase në shkollën fillore “Todor Janev”. Nga MASH garantuan mbështetje të plotë për hapjen e paraleles shqipe nga viti i ri shkollor 2017-18 duke ofruar dy variante të ndryshme të zgjidhjes së problemit.

Njëra prej atyre zgjidhjeve është të bëhet një kërkesë nga ana e shkollës deri te komuna e komuna deri te ne për financim, respektivisht për një arsimtarë i cili do ti mëson këta nxënës brenda kësaj periudhë derisa prindërit e tyre qëndrojnë përkohësisht në këto vendbanime. Varianti i dytë, të bëhet organizimi i transportit të këtyre nxënësve deri në shkollën e Jabollçishtës së epërme, respektivisht në shkollën e tyre amë – tha Safet Neziri, MASH.

Kryetari i këshillit komunal Ramadan Amzovski edhe një herë akuzoi prindërit e nxënësve shqiptarë, të cilët, sipas tij me vet dëshirë kanë regjistruar fëmijët e tyre të mësojnë në gjuhën maqedonase.

Ne si organ dhe si komunë garantojmë, por nëqoftëse prindërit nuk duan, se na ndodhën edhe raste tilla që prindi thotë mua nuk më pengon kjo absolutisht..Kërkesën do ta fillojmë që tani për vitin që vjen, fëmijët në fillimin e vitit të ardhshëm shkollor të mësojnë në gjuhën amtare, ti sigurojmë ato dy variante që thamë – u shpreh Ramadan Amzovski, kryetar i Këshillit komunal, Çashkë.

Në shkollën fillore “Todor Janev” në Çashkë të Velesit mësojnë 28 nxënës shqiptarë nga gjashtë vendbanime të ndryshme të komunës në fjalë. Problemi në shkollën e Çashkës me fëmijët që mësojnë maqedonisht do të merrte fund nëse do të gjente zgjidhje edhe rasti tjetër në Kllukovec, komunën ngjitur këtij fshati. Nëse në shkollën periferike të Kllukovecit do të ndërtohej objekt i ri, në hapësirat e tij do të kishte mundësi të pranoheshin edhe 28 fëmijët që studiojnë në Çashkë./Alsat