Të dhënat jozyrtare që jepen nga pronarët e bizneseve thonë se mbi 30 për qind e të punësuarve janë liruar nga puna. Kjo do të thotë se interesimi për punësime të reja është shumë i vogël, ndërsa punësime gjatë muajve të fundit ka vetëm në sektorin e tregtisë

Më shumë se katër muaj, një pjesë e biznesit dibran po ballafaqohet me probleme të mëdha lidhur me mbijetesën. Përveç sektorit të tregtisë, në të gjitha sferat tjera humbjet janë të mëdha për shkak të koronavirusit. Në një situate të këtillë, është krejt normale që pjesa më e madhe e pronarëve kanë ulur numrin e punëtorëve dhe nuk shprehin interes për të punësuar. Planet zhvillimore të kompanive të tyre, siç thonë pronarët, u rrudhën dhe normalisht është cenuar edhe perspektiva e tyre. Dëme të mëdha ka pësuar sektori i ndërtimtarisë, sektori i përpunimit të drurit, turizmi banjar, sektori i hotelierisë dhe sektorët tjera. Mund të themi se në sektorin e tregtisë kanë shënuar rezultate të mira meqë ka patur një xhiro shumë më të madhe të artikujve ushqimor dhe mjeteve për higjienë, shumë më të madhe në krahasim me muajt para marsit.

Kompania “Medina” e Dibrës, e cila merret me përpunimin e drurit, më shumë se 120 ditë ballafaqohet me problemin e realizimit të planeve zhvillimore. Pronari i kompanisë në fjalë, Musa Hasa, thotë se pandemia bëri punën e vet dhe dëmtoi shumë kompani prodhimi, ndërsa ka kërkuar subvencione me qëllim që ata të mbijetojnë. “Jemi në situatë kur nuk ka punë për të punësuarit e deritashëm dhe sa i takon punësimeve të reja, as që bëhet fjalë. Kishim plane perspektive për zgjerimin e biznesit, por pandemia na frenoi me këto parashikime”, thotë Hasa dhe shton se nëse kjo situatë vazhdon edhe në të ardhmen, do të vijë në pyetje edhe ekzistenca e kompanive. Kjo kompani e cila ka patur shumë suksese në të kaluarën, frikësohet nga situata aktuale ashtu siç frikësohen edhe shumë kompani të tjera në sferat e ndryshme, të cilët as nuk mendojnë për punësime të reja në këtë moment dhe as për planet zhvillimore të tyre.

Në bisedën që patëm me pronarët e kompanive që merren me prodhimin e mobilerive, u informuam se shitja është në nivele shumë të ulëta, por njëkohësisht edhe zgjerimi i asortimenteve ka ngecur. Në kompanitë të mobilerive “Di S” dhe “Boliljeri A” në Dibër thonë se planet e zhvillimit në një situatë të këtillë as që mendohen. Problemet me plasmanin e mobilerive drejtpërdrejt kanë ndikuar në mundësitë për pranimin e punëtorëve të rij. Të njëjtin problem e kanë edhe mobileritë me të cilët bashkëpunojnë këta sallone mobilerie e që funksionojnë në qytete të tjera të vendit, por edhe jashtë shtetit. Ka një ulje të plasmanit edhe të prodhuesve të dyerve dhe dritareve në Dibër. Firmat të cilët merren me këtë aktivitet ekonomik as që mendojnë të zgjerojnë asortimentin. Sipas tyre, ka ngecur plasmani dhe nga këta firma kanë ngelur pa punë shumë punëtorë. Dhënia e mundësisë për të hapur objektet shërbyese dhe hotelerike në Komunën e Dibrës ka ngjallur shpresat e pronarëve të hoteleve në Dibër, por që tani për tani ata shpresa janë minimale. Hotelet janë të zbrazura për shkak të situatës me pandeminë Kovid-19.

Të dhënat jozyrtare që jepen nga pronarët e bizneseve thonë se mbi 30 për qind e të punësuarve janë liruar nga puna. Kjo do të thotë se interesimi për punësime të reja është shumë i vogël, ndërsa punësime gjatë muajve të fundit ka vetëm në sektorin e tregtisë. (koha.mk)