Parkingjet në Shkup vazhdojnë të jenë nën akull dhe paraqesin rrezik për shfrytëzuesit të cilët me të drejtë janë të revoltuar për shkak se paguajnë për shërbimin. Dy ndërmarrjet publike, njëra e Qytetit të Shupit dhe tjetra e komunës Qendër, 10 ditë nga reshjet e para të dëborës akoma nuk kanë arritur që t`i pastrojnë sheshet që i menaxhojnë.

“Jo vetëm që mund të rrëshqasim dhe të lëndohemi por nga akulli dhe dëbora nuk shihen linjat se ku duhet të parkojmë. Përkundër kësaj, çmimi vazhdon të ngelet i njejtë” ankohet një qytetar që ka parkuar autoveturën në njërin nga parkingjet e komunës Qendër.

Ndërmarrjet “Parkingjet e komunës Qendër” dhe “Parkingu i Qytetit” nuk kanë pranuar të japin shpjegime për gjendjen e rëndë të parkingjeve.