Pas një debati tërëditor, dje këshilli i Qytetit të Shkupit pak para mesnate ka miratuar buxhetin për vitin 2022. Vlera e përgjithshme e buxhetit është 114 milion euro, prej të cilave buxheti bazë është 76 milion euro, ndërsa tjerat janë nga pushteti qendror. Krahasuar me vitin 2021, buxheti i propozuar për vitin 2022 ulet për 8,7 %.
Kryetarja e Shkupit Danella Arsovska duke arsyetuar buxhetin para gazetarëve, tha se borxhet që i ka trashëguar nuk lejojnë projekte të reja kapitale. Këtë vit, vetëm do të vazhdohen projektet të cilat janë filluar nga ish kryetari Petre Shilegov.

“Në buxhet, si projekte kapitale janë vendosur projektet të cilat tanimë janë filluar e të cilat qyteti i Shkupit e ka patjetër ti realizojë. Për projekte të reja është paraparë projektim menjëherë pas vitit të ri”, tha Arsovska.

Si projekte kapitale të cilat janë filluar e planifikon ti mbarojë Arsovska, janë ura ASNOM në Aerodrom, bulevari “Boris Trajkovski” drejt Pintisë, qarkorja në Vizbeg, bulevari Kiro Gligorov ndërsa do të rikonstruohen dhe disa nga bulevaret dhe rrugët e Shkupit.

Planifikohet të vazhdohet bulevari Sllovenia drejt Karposhit, si dhe të ndërtohet një rreth rrotullim në hyrje të Sarajit.

Në buxhet janë paraparë të holla për Luna Parkun e ri por jo edhe për fazën e dytë të Sallës Universale e cila filloi të rikonstruohet me para të Qeverisë.

Arsovska paralajmëroi pesë mega parqe por “nuk e di”, gjegjësisht nuk precizoi se ku do të ndërtohen ato.//Zhurnal.mk