Qeveria e Kosovës ka dalë edhe përtej Pakos së Ahtisaarit me rastin e themelimit të Asociacionit të komunave serbe. Kështu ka thënë ish-presidenti Fatmir Sejdiu, që në kohën sa ishte miratuar Pakoja e Ahtisaarit, ishte në krye të shtetit.
Pavarësia e Kosovës e shpallur në vitin 2008 ishte derivat i Pakos së Ahtisaarit që në Kuvend është miratuar në vitin 2007. 
Sipas Sejdiut, provizionet e Ahtisaarit janë të përgjithshme, por në fakt janë dhe konkrete, sa i përket çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Është fjala për Asociacionin e komunave serbe dhe unë them se është dashur, të kihet një kujdes i veçantë në këtë drejtim. Provizionet e Ahtisaarit janë të përgjithshme, ato në fakt janë dhe konkrete, sa i përket çështjes së Asociacionit të komunave, pra në këtë rast me shumicë serbe, nuk parasheh një diçka më tepër, se sa parasheh dhe për komunat që janë me të shumicës shqiptare. Në fakt janë dhe njëra dhe tjetra, të një karakteri thjesht më shumë konsultativ dhe çështjeve teknike. Dhe assesi të lëshohen në rrafshe të veçanta dhe të ushtrimit të kompetencave ekzekutive dhe kompetencave tjera, çfarë synohet të bëhet. Prandaj unë them se delegacioni i Kosovës ka marrë një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese, pavarësisht faktin se ajo përgjigje në njëfarë mënyre gati është edhe politike, nuk ka shkuar krejt drejtpërdrejt për të thënë se është thyer Kushtetuta dhe unë mendoj se është thyer, sepse vetë fjalia paralele që thekson se nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në fakt do të thotë, se është jashtë saj. Dhe këta duhet të kenë kujdes në proceset e mëtejshme, se kah do të lëvizin”, ka thënë Sejdiu në një intervistë për “KosovaPress”.