Astma është një sëmundje kronike që shkakton pezmatim dhe ngushtim të rrugëve të ajrit, me ç’rast vështirësohet marrja dhe nxjerrja e frymës nga mushkëritë

I prek të gjitha moshat, edhe pse më shpesh fillon në fëmijëri (astma e fëmijërisë), ajo për herë të parë mund të paraqitet edhe te të rriturit (astma e të rriturve).

Momentalisht nuk ekziston një kurë e cila e shëron astmën plotësisht, mirëpo ka barna dhe trajtime me të cilat i mbajmë simptomat nën kontroll dhe i parandalojmë paraqitjen e tyre, ashtu që të mos kenë ndikim në jetën e përditshme.

Cilat janë simptomat e astmës?

Simptomat kryesore të astmës janë: fishkëllimat gjatë frymëmarrjes, frymëzënia (uria për ajër apo mosngopja me ajër), shtrëngimi i gjoksit (apo ndjesia sikur gjoksin e shtrëngon një rrip ose litar i mbështjellë rreth tij) dhe kolla.

Simptomat nganjëherë mund të keqësohen përnjëherë. Kjo gjendje njihet si sulm astmatik.

Në rastin kur dyshojmë për astmë duhet të vizitohemi te mjeku në mënyrë që të kemi një diagnozë të qartë, të marrim trajtimin e duhur për kontrollimin e simptomave dhe parandalimin e tyre, si dhe të këshillohemi si t’i evitojmë shkaktarët e paraqitjes së simptomave të astmës.

Çka e shkakton astmën dhe cilët janë shkrehësit (ngacmuesit) e saj?

Astma shkaktohet nga pezmatimi (ënjtja) e rrugëve të cilat e bartin ajrin brenda apo e nxjerrin atë jashtë mushkërive. Kjo i bën ato shumë të ndjeshme ashtu që ato munden që përkohësisht të ngushtohen. Kjo mund të ndodhë vetvetiu apo pas ekspozimit ndaj ndonjë shkrehësi (ngacmuesi).

Shkrehësit (ngacmuesit) më të shpeshtë të astmës janë: alergjenët (si për shembull pluhuri i shtëpisë, qimet e kafshëve apo poleni), tymi, ndotja dhe ajri i ftohtë, ushtrimet apo aktiviteti fizik, infeksionet si ftohja apo gripi, etj.

Është me shumë rëndësi që të identifikohen shkrehësit (ngacmuesit) e astmës, pasi që duke i ikur ekspozimit ndaj tyre na ndihmon t’i mbajmë simptomat e astmës nën kontroll.

Sa zgjat astma?

Astma për shumicën e personave është një gjendje afatgjatë, veçanërisht nëse zhvillohet për herë të parë në moshën e rritur.

Te fëmijët, nganjëherë zhduket apo përmirësohet gjatë moshës së pubertetit, por gjendja mund të rikthehet më vonë me moshë.

A mundet të kontrollohet astma dhe cilat janë komplikimet e saj?

Simptomat e astmës zakonisht mund të kontrollohen me trajtim. Shumica e personave me astmë zhvillojnë jetë normale dhe aktive, megjithatë disa persona me astmë të rëndë mund të kenë probleme të vazhdueshme.

Edhe pse astma mundet të mbahet nën kontroll, prapë ajo mbetet një gjendje serioze e cila mund të shkaktojë shumë komplikime. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të ndiqet rekomandimet dhe plani i trajtimit me përpikëri si dhe të mos anashkalohen simptomat nëse ato përkeqësohen.

Astma e kontrolluar keq, apo jo mirë e trajtuar mund të shkaktojë probleme të tilla si: ndjesia e përhershme e lodhjes, performanca e ulët apo mungesat në punë apo shkollë, stresi, gjendja e ankthit apo depresioni, ndërprerja e punës apo pushimit për shkak të vizitave të pa planifikuara te mjeku apo ne spital, pneumonia, vonesa në rritje apo pubertet te fëmijët, etj.

Poashtu, ekziston rreziku i sulmeve shumë të rënda të astmës të cilat janë të rrezikshme për jetën.

Astma e kontrolluar mirë, me sa më pak simptoma dhe keqësime sa më të rralla është caku të cilin e synon çdo mjek dhe specialist i pulmologjisë. Por që të arrihet një gjë e tillë duhet patjetër informimi i drejtë i pacientit dhe bashkëpunimi i mirë i tij.

Si trajtohet astma?

Astma zakonisht trajtohet përmes marrjes së barnave në formë të inhalimit, si inhalatorë me presion (sprej), inhalatorë me pluhur të thatë (me kapsula) apo nebulizatorë.

Kështu përmes inhalimit marrim barna si inhalatorët lehtësues – të cilët përdoren kur nevojitet që shumë shpejtë të lehtësohen simptomet e astmës për një kohë të shkurtë (për shembull Salbutamoli), dhe barna inhalatorë parandalues – të cilët përdoren për çdo ditë për të parandaluar paraqitjen e simptomeve të astmës (si psh Beklometazoni apo Budezonidi).

Në disa raste të rënda kërkohet të përdoren edhe barnat në formë të tabletave apo ampullare. /Telegrafi/