Një incident ka ndodhur me kandidatin republikan për president në SHBA, gjatë fushatës në Reno, Nevada. Donald Trump u nxor me nxitim nga skena të shtunën nga agjentët e shërbimit sekret gjatë fjalimit pas një incidenti që ndodhi në turmë shumë afër podiumit ku qëndronte ai.

Një zëdhënës i Shërbimit Sekret tha në një deklaratë se ka pasur një trazirë në turmë dhe një individ i paidentifikuar bërtiti “armë”, edhe pse nuk u gjetën armë pas një kërkimi të plotë.

Një burrë, që më pas u prezantua për gazetarët si Austyn Crites u ndalua menjëherë dhe u nxor jashtë nga dhjetëra punonjës të policisë, shërbimit sekret dhe oficerë të SWAT të armatosur. Një zyrtar i zbatimit të ligjit më pas i tha CNN se ndaj personit të ndaluar nuk janë ngritur akuza

Pasi ai u lirua nga paraburgimi, Crites u tha gazetarëve se incidenti filloi kur ai bëri një gjest “Republikanët kundër Trump”.

Ai tha se menjëherë një grup njerëzish e kishin sulmuar dhe se dikush bërtiti diçka në lidhje me një armë.

Trump nuk pësoi asnjë lëndim dhe u kthye ne skenë disa minuta më vonë për të përfunduar fjalimin e tij.

“Askush nuk tha se do të ishte e lehtë për ne, por ne kurrë nuk do të ndalemi. Ne kurrë nuk do të na ndalin. Dua të falënderoj Shërbimin Sekret. Këta njerëz janë fantastike”, tha Trump, para se t’i kthehej fjalimit të përgatitur.

Incidenti shkaktoi frikë në turmë dhe momente tensioni deri sa shërbimi sekret nxori jashtë kandidatin për president.

Shumë dëshmitarë thanë për CNN se ata kishin dëgjuar fillimisht një person të bërtiste se ishte dikush me armë.
“Ne ishim të gjithë të përqendruar në atë çfarë po thoshte Zoti Trump kur një djalë me një këmishtë të kuqe bërtiti pranë meje se ‘ishte një burrë me armë’, tha Shimon Cohen për CNN. Por i pyetur nëse ai vetë e pa armën, ai përgjigjet “Jo nuk e pashë”.
“Të gjithë nisën të arratiseshin. Dëgjova njerëzit duke thënë ‘Të dalim prej këtej, nuk do shkojë mirë’, tha një dëshmitar tjetër.
Nuk ka munguar as falënderimi i Trump për ndërhyrjen e agjentëve të shërbimit sekret, për reagimin e tyre të menjëhershëm por edhe për mbështetësit e tij. Ai tha ‘asgjë s’mund të na ndalë ne! Do ta bëjmë të madhe sërish Amerikën”.

http://https://www.youtube.com/watch?v=7gJ7bfSdd1s