Klisman Preçi u vra dhe Ylli Brahimi u plagos si pasojë e një atentati që ndodhi mbrëmjen e së premtes në Milot. Në sheshpushimin e një pallati u qëllua me armë zjarri në drejtim të automjetit të blinduar tip fuoristradë “Land Chrysler”, brenda të cilit ndodheshin Preçi, 28 vjeç dhe Brahimi 46 vjeç, banues në Kurbin.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë, korrespondetja e Klan News Vera Deda ka mësuar detaje të reja. Bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur 108 gëzhoja.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të bizneseve në afërsi të të cilave ka ndodhur ngjarja, të cilat janë dërguar në Tiranë për verifikim. Janë shoqëruar në Polici në cilësinë e personava që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes 12 persona.

Sa i përket viktimës dhe të plagosurit, kjo nuk ishte hera e parë që ndaj tyre kryhej atentat.

Klisman Preçit i është bërë atentat në Maj të këtij viti në dalje të qytetit të Lezhës teksa udhëtonte me makinën Mercedes-Benz ML së bashku me kushëririn e tij Blerim Preçi. Ata u qëlluan me armë nga një makinë në lëvizje. Ai dhe kushëriri i shpëtuan paq atentatit.

Ylli Brahimit i është bërë atentat edhe në Janar të vitit 2021. Ai mbeti i plagosur në këmbë, pasi u qëllua nga dy persona që udhëtonin me motor.

Për këto dy ngjarje të para disa kohëve nuk ka autor.

Sa i përket ngjarjes së mbrëmshme, Brahimi është nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës pasi ka marrë dëmtime në brinjë dhe në këmbë.

Sipas informacioneve, atentatorët, dy persona të armatosur dhe të maskuar, kanë ndjekur objektivin e tyre duke i qëlluar në lëvizje deri sa kanë zbritur nga makina e blinduar me targa të Shkupit poshtë banesës së Preçit dhe janë larguar me shpejtësi me makinën e tyre.

Pas ngjarjes një makinë u gjetur duke u djegur në fshatin Gramëz në Krujë që besohet e u përket autorëve pasi në brendësi ka pasur dy armë kallashnikovi./tvklan.al