Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës në periudhën 2011-2016, do të jetë pjesë edicionit të katërt të festivalit “Mirëdita Dobar Dan” në Beograd.

Jahjaga ka marrë lejen e shtetit serb për futje brenda territorit ndërsa do të jetë e pranishme në promovimin e librit “Dua të dëgjohem: libri i kujtimeve me tregime të grave që kanë përjetuar dhunë në luftën e fundit në Kosovë”.

Jahjaga do të flasë para të pranishmëve mbi gratë e dhunuara e të torturuara në luftën e fundit në Kosovë, ndërsa është e para e këtij kalibri politik që futet në Serbi dhe së cilës i jepet leja për të vizituar Serbinë.

Ngjarja do të mbahet në ditën e tretë të festivalit në Qendrën për Dekontaminim Kulturor. Festivali në fjalë fillon me 31 maj dhe do të zgjasë deri me 3 qershor. KultPlus do të jetë i pranishëm në Festival dhe gazetarja jonë do të sjellë informacione nga kjo ngjarje dhe ngjarjet tjera që do të ndodhin në ditët e festivalit.