29 persona kanë mbetur të vrarë si pasojë e një atentati kamikaz në Stamboll ku një autobombë është përplasur me një autobus policie. Presidenti i vendit Erdogan reagoi duke thënë se terroristët synojnë të frenojnë zhvillimin e vendit. 
Një autobombë që kishte si objektiv një autobus me agjentë policie, ka shpërthyer në Stamboll duke shkaktuar 29 viktima mes të cilëve shumë policë, dhe duke plagosur rreth 166 të tjerë. Shpërthimi ndodhi pranë stadiumit të skuadrës së futbollit të Beshiktashit. Një shpërthim i dytë i shkaktuar nga një kamikaz ka dëmtuar dhe zonën pranë Maka Park.
Ministri i Brendshëm Turk Sulejman Soilu, shpjegoi për mediat se shpërthimi u shkaktua nga një autobombë pranë vendit ku ishin vendosur forcat speciale të policisë. Shpërthimi ndodhi menjëherë pas ndeshjes në momentin kur tifozët e Bursaspor kishin dalë nga stadiumi.  
Menjëherë pas shpërthimit qeveria turke urdhëroi mediat që të mos raportonin lajmin apo detaje rreth ngjarjes. 
Në mesazhin e tij pas atentatit, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, u shpreh se fatkeqësisht kishte martirë dhe të plagosur: Kur Turqia hedh një hap pozitiv drejt së ardhmes, përgjigja e organizatave terroriste është përgjakja, brutaliteti dhe kaosi. PKK, ISIS dhe Feto – duke iu referuar rrjetit të Fetullah Gulen – dhe të gjitha organizatat terroriste sulmojnë vendin tonë dhe kombin tonë me të njëjtin qëllim. 
Për momentin sulmi ende nuk është marrë përsipër nga askush por shërbimi turk i inteligjencës disa ditë më parë kishte vënë alarmin për atentate të mundshme të ISIS me autobombë në Ankara në ditët e para të dhjetorit. 
Vetëm gjashtë muaj më parë po në Stamboll, 45 persona mbetën të varrë dhe qindra të tjerë u plagosën në një sulm me armë zjarri dhe bomba në aeroport, nga tre agresorë që dyshohej se ishin militantë të ISIS. Atentate të tjera, vitet e fundit, janë marrë përsipër nga militantët kurdë të PKK-së. /abcnews.al