Pesë muaj pas përfundimit të ndërtimit, linja e Interkonjeksionit 400 kv Shqipëri – Kosovë nuk është vënë ende në punë. Kjo vepër i ka kushtuar vendit tonë një kredi prej 42 milion eurosh të marrë nga banka gjermane KFW dhe 33.5 milion të tjera Kosovës.

Askush nuk e mendoi se kjo autostradë energjetike, do të mbetej peng i bisedimeve politike që ka në tryezën e dialogut Prishtina me Beogradin.

Operatori i Transmetimit të Kosovës nuk ka marrë pavarësinë e funksionimit si një institucion më vete nga ana e palës serbe.

Në këtë mënyrë, Serbia pretendon që të arkëtojë vetë çdo faturë nga kompanitë që përdorin linjën e ndërtuar nga Shqipëria dhe Kosova dhe ku ajo nuk ka investuar asnjë qindarkë dhe nuk paguan këstet tek banka gjermane.

Më 14 tetor, Këshilli i Ministrave të Komunitetit të Energjisë, mori vendim për hapjen e një çështjeje kundër Serbisë për mospërmbushjen e kërkesave të Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Afati që i është lënë Serbisë për të zgjidhur situatën është 31 dhjetori i këtij viti.

Ministri i Energjetikes, Damian Gjiknuri i kërkoi ndihmë ambasadorit gjerman që Berlini të ndërhynte për të gjetur zgjidhje.

Ndërsa Konfindutsria i kërkon qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës të kundërpërgjigjet me bllokimin e importit të produkteve që vijnë nga shteti serb.

Deri në zgjidhjen e ngërçit, linja energjetike Shqipëri – Kosovë, do të vazhdoje t’i ngjaje një autostrade ku nuk kalon asnjë makinë.