Avokati i familjes së Almir Aliut, vogëlushit kumanovar që u shtyp për vdekje me makinë, thotë se nuk do të heqë dorë nga kërkesa për dënim me burg të përjetshëm të të akuzuarit Boban Iliç. Sipas avokatit Asmir Alispahiç, aktakuza e Prokurorisë Themelore të Kumanovës e dorëzuar një ditë më parë në gjykatë, është hartuar në mënyrë profesionale dhe në përputhje me kërkesat e palës së dëmtuar.

“Sipas rregullave ligjore, insistoj dhe do të kërkoj që dënimi të shqiptohet me burg të përjetshëm. Vetëm një dënim i tillë mund të jetë kompensim i prindërve për humbjen e djalit të tyre”, deklaroi avokati Asmir Alispahiç.

Aktakuza tashmë ndodhet për vlerësim në Këshillin Penal. Megjithatë, vendim gjyqësorë do të ketë vetëm pas ekspertizës neuro-psikiatrike të kërkuar nga mbrojtja. Mbrojtja një gjë të tillë e ka kërkuar për shkak të pretendimeve se tashmë i akuzuari Boban Iliç nuk ka qenë në gjendje normale mendore dhe shëndetësore gjatë kryerjes së aktit. Ndryshe nga mbrojtja, avokati Alispahiç thotë se kërkesa e mbrojtjes është taktikë për t’iu shmangur dënimit të merituar.

“Nuk dyshoj që profesionistët të cilët janë duke punuar në ekspertizën neuropsikiatrike, do të bëjnë ndonjë lëshim profesional dhe besoj që do ta vërejnë se i akuzuari ishte në gjendje normale mendore gjatë kryerjes së aktit. Kini kujdes. Një veprim i tillë çnjerëzor të merr jetën e një të mituri pa arsye dhe tani të mbrohet se nuk ishte në gjendje normale me qëllim që t’i shmanget dënimit, me të vërtetë do të ishte e patolerueshme në një lëndë si kjo”, tha Alispahiç.

Alsat M adresoi pyetje edhe në Klinikën neuro-psikiatrike në Shkup për të pyetur rreth ekspertizës neuro-psikiatrike, por deri më tani nuk morëm asnjë përgjigje. Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Kumanovës, vepra është cilësuar si vrasje. Sipas Kodit Penal, neni 123 për të akuzuarin Boban Iliç parashikohet dënimi me burg nga 10 vite deri në burg të përjetshëm. Vrasja e Almir Aliut ndodhi më 25 qershor në Kumanovë. I akuzuari Boban Iliç shtypi me makinë Almirin 4 vjeçar dhe prindërit e tij. Motivet e vrasjes dhe tentativës për vrasje ende nuk janë zbardhur zyrtarisht.