Kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Çiçakovski vlerëson se mos-ndryshimi i kufijve të njësive zgjedhore, vë në pikëpyetje barazinë e votës së qytetarëve. Ai i kujtoi Kuvendit se ka përgjegjësi për të zgjidhur problemin meqë është konstatuar shkelje ligjore. Këto komente Çiçakovski i bëri pas takimit me përfaqësuesit e Agjencisë së mediave në kuadër të bashkëpunimit parazgjedhor për organizim të zgjedhjeve të drejta.

“Në kuadër të kompetencave tona pas përditësimit të rregullt të listës, ne i dërguam të dhënat në ministrinë e drejtësisë dhe në Kuvend si organ kompetent të përgatisin dhe të sjellin ndryshime në Kodin Zgjedhor. I mbetet Kuvendit që në mënyrë të drejtë ta adresojë këtë çështje. Tejkalimi i kufirit prej plus/minus 5% definitivisht e sjellë në pikëpyetje barazinë e të drejtës për votë të qytetarëve të Maqedonisë”, deklaroi kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Çiçakovski.

Edhe pse KSHZ-ja për shkeljen e ligjit ka njoftuar institucionet dhjetë ditë më parë, në Kuvend nuk ka asnjë iniciativë për ndryshimin e kufijve të njësive zgjedhore. Përderisa nga BDI-ja vazhdojnë të heshtin dhe të mos sqarojnë qëndrimin e tyre, PDSH-ja përsëri drejtoi përgjegjësinë te pushteti, gjegjësisht te BDI-ja, kurse ata vetë u shprehën për barazim të njësive.

Në bazë të gjendjes së listës deri më 5 gusht, njësia zgjedhore numër gjashtë ka plus 5.28% votues në krahasim me mesataren e njësive të tjera zgjedhore. Muaj më parë, shkelje ishte konstatuar edhe në njësinë e tretë dhe të katërt, të cilat për dallim nga njësia gjashtë, ishin nën kufirin e lejuar prej minus 5% votuesish. Dallimi mes numrit të votuesve nga njëra njësi te tjetra shkon edhe mbi 30 mijë, gjë që edhe sipas ekspertëve dhe disa përfaqësuesve politik, disbalancon peshën e votës së qytetarëve./alsat-m