Thoshin se nuk do të bëjnë koalicion me BDI-në. Edhe LSDM-ja, edhe opozita e re shqiptare, me gjithë PDSH-në “e vejtër”. Shumë analistë, gazetarë, intelektualë, politikanë aktivë e të pensionuar, folën edhe për prapavijën e takimit të partive shqiptare të thirrur nga lideri i BDI-së.

U kritikuan ata që morën pjesë se kështu i ndihmojnë BDI-së ta kthejë legjitimitetin e humbur. OK… Mirëpo, një gjë sikur nuk e merrnin parasysh, BDI-ja edhe si “parti humbëse” ishte fituese e zgjedhjeve dhe në cilindo krah që të krijohet koalicion, matematika e thotë se pa BDI-në nuk mundet. Ky është realiteti.
Se çka do BDI-ja, është tjetër gjë, po çka thotë realiteti i ri, është më se i qartë: nëse bën qeveri VMRO-ja, mund të bëje edhe vetëm me BDI-në, nëse bën qeveri LSDM-ja, mund të bëjë edhe me partitë tjera shqiptare, por prapë jo pa BDI-në. Por, që të shkohet me LSDM-në, koordinimi midis partive shqiptare, ngjashëm siç ishte takimi i të shtunës me Alencën për Shqiptarët gjithsesi do të jetë i domosdoshëm me gjithë pretendentët tjerë, pra edhe me Lëvizjen Besa dhe PDSH-në.

Daut Dauti