Mure të çara dhe dhoma të mbushura me baltë. Kështu vazhdon të duket njëra nga shumë shtëpitë në Hasanbeg që u kapluan nga vërshimet e 6 gushtit. I zoti i shtëpisë Xhemal Gashi që punon si saldues në dyqanin pranë shtëpisë së tij thekson se vlerësimi i dëmit nga ana e komisionit qeveritar nuk është bërë në mënyrë të drejtë për arsye se nuk janë vlerësuar të gjitha dëmet, njofton TV 21.

 

“Afër 7 mijë euro kam aparaturë shumica është e dëmtuar po një pjesë të tyre e kom shpëtuar. Jam duke e ndërtuar një derë për shtëpinë time kurse murin e shtëpisë që ishte e dëmtuar nuk ma kanë vlerësuar shtëpia është e dëmtuar në gjitha anët nuk është e vlerësuar. Deri tash më kanë dhënë 2300 euro kurse nga ajo shumë kam ndërtuar vetëm murrin e shtëpisë 500 euro kom harxhuar në spital, ato të holla që më kanë mbetur jam duke i përdorur për ushqim tani jam duke ndenjur tek një kushëri”, tha ai.

Ai bashkë me familjen jeton tek një kushëri i afërt që jeton jashtë, por thotë se do ta ketë vështirë kur kushëriri i tij do të kthehet për pushime. Të njëjtin fat e ka edhe Fatmir Qamili, i cili bashkë me familjen jeton në një konvikt studentor. Ai thotë se ka kompesnimi që ka marrë ka qenë vetëm simbolik, edhe pse shtëpia ku ka jetuar prej vitesh pothuajse i është rrënuar e tëra.

“Unë kamë marr vetëm 500 euro edhe atë sigurimin që ka qenë vetëm 13 mijë denarë përndryshe tjetër nuk kam marr asgjë, për vlerësimin sa e dijë unë ka qenë 100% që donë të thotë se nuk ka vend për banim këtu të holla të tjera nuk kamë marr përveç atyre”, shprehet ai.

Por institucionet nuk duan të flasin për kompensimin e dëmeve që ndodhën në Hasanbeg dhe në Stajkovc. TV21 kontaktoi edhe me Ejup Alimin, që ushtroi detyrën e kryetarit të komisionit për vlerësimin e dëmeve. Ai theksoi se këtë post ia ka lëshuar ministrit të ambientit jetësor, Bashkim Ahmetit, megjithatë edhe ky i fundit topin e hodhi tek tjetri.

 

Qeveria në tetor miratoi vendimin për dëmshpërblimin e të gjitha dëmeve, ndërsa procesi do të realizohej në disa transhe. Në të parën u ndanë 118 milionë denarë ku siç u tha u kompensuan 100 për qind 947 objekte. Përmes komisionit për vlerësimin e dëmeve Qeveria regjistroi rreth 4 mijë raste për t’u dëmshpërblyer. /Telegrafi/