E diela do të jetë sërish mjaft e ngjeshur dhe me emocione në ekranin e Supersport, që do të sjellë për të gjithë shqiptarët një sërë përballjesh interesante të skuadrave më në zë në Europë.

 

Kështu vetëm tre ditë pasi fitoi trofeun e katërt sezonal, Bayerni i Mynihut do të rikthehet në luajë në kampionat, pasi do të përballet me Hoffenhaimin në transfertë, në sfidën e vlefshme për javën e dytë të kampionatit.

Trajneri Hansi Flick ka një organikë të kompletuar në dispozicion, gjithsesi do të duhet të bëjë vlerësimet e duhura, pasi një pjesë e futbollistëve luajtën 120 minuta ndaj Sevillas në finalen e Superkupës.

Gjithsesi bavarezët do të kërkojnë fitoren edhe për të nisur shkëputjen ndaj rivalit kryesor për titull, Borussias së Dortmundit, që ditën e djeshme u mposht me shifrat 2-0 nga Augsburgu në transfertë.

Edhe kampionati spanjoll do të vijë me 3 përballje sot, teksa në orën 12:00 Osasuna do të presë Levanten, ndërsa në orën 16:00 Atletico e Madridit do të përballet me Granadën në “Wanda Metropolitana”.

Kjo do të jetë performanca e parë e Los Colchoneros për sezonin e ri të kampionatit spanjoll, një sfidë ku trajneri Diego Simeone nuk do të ketë më Alvaro Moratën në sulm, por një emër mjaft të njohur si Luis Suarez, i cili vetëm pak ditë më parë iu bashkua madrilenëve.

Në mbrëmje vëmendja do të jetë në “Camp Nou” ku do të bëjë debutimin e parë zyrtar edhe Barcelona e Ronald Koeman, që do të presë Villarealin e Unai Emery.

Katalanët vijnë në këtë takim me ndryshime të shumta, pasi janë larguar emra si Suarez, Vidal, Rakitiç e Semedo, ndërsa është afruar Miralem Pjanic dhe në dispozicion të trajnerit Koeman është rikthyer Philippe Coutinho, i cili ishte në huazim te Bayerni i Mynihut.

Pritet me kuriozitet mënyra se si trajneri holandez do të rreshtojë skuadrën në fushë dhe mbi të gjitha se si do të bëjë të bashkëjetojnë dy emra si Lionel Messi e Antoninne Griezmann, të cilët në sezonin e kaluar treguan se e kanë të vështirë të luajnë në të njëjtin formacion.

Nuk do të mungojë në ekranin e Supersport as përballja më interesante e javës në kampionatin anglez, ajo mes Manchester City-t dhe Leicesterit, që do të startojë në orën 17:30 në “Etihad Stadium”.

“Citizens” do të kërkojnë suksesin e radhës në kampionat, por këtë herë përballë do të kenë një kundërshtar aspak komod, pasi Leicester e ka nisur kampionatin me dy fitore radhazi dhe do të synojë sërish një vend në zonën Champions edhe këtë sezon.