Kryetari i partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, zgjodhi dy simbolika për të përmbyllur turin e tij të takimeve nëpër Shqipëri, që i paraprinë protestës së nesërme. E para ishte ajo me studentët, para Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, si për të shënuar rebelimin studentor të dhjetorit të kaluar nga ku tha se Rama po bëhet gati për azil dhe mori shembull Gruevskin.

“Dita e nesërme është dita e rinisë shqiptare. Nesër shqiptarët do ta vendosin përpara dy alternativave: përpara drejtësisë, ose në azil politik t’i bashkohet Gruevskit”, tha Basha.

“Shikojini fytyrat e banorëve të Unazës, shtëpitë e tyre nuk arriti t’i prishte arroganti. Po bëhet gati t’ia mbathë. Nesër në Vlorë, pasnesër në azil. Ky është shembulli konkret i forcës që keni në duar”, tha Basha.

Përmes protestës së të shtunës, demokratët në Shqipëri kërkojnë krijimin e një qeverie tranzitore, që do të mundësojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.