Nga çadra e protestës, Lulzim Basha tha sot se nuk do të ketë zgjedhje pa qeveri teknike. Ai sulmoi edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke thënë se për Partinë Demokratike, ky institucion ka marrë fund si etnitet ligjor.

“Ose republika e vjetër do të vazhdojë të ndajë paratë e shqiptarëve për një kupolë politike që ekziston për t’i shërbyer pasurimit të vet dhe pushtetit të vet, ose do të kemi një qeveri që kontrollohet vetëm nga qytetarët shqiptarë, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kjo e dyta mund të ndodhë vetëm nëse vota e çdo shqiptari do të garantohet përtej çdo dyshimi nga një proces i ndershëm zgjedhor. Për ne, kjo garanci nuk mund të jetë veçse një garanci politike”, tha Basha.

“Ai që shkaktoi kriminalizimin e shtetit nuk mund të ëndërrojë që për 4 javë apo 4 muaj ne t’i besojmë edhe fatin e zgjedhjeve dhe votën e shqiptarëve. Kjo nuk mund të ndodhë, kjo nuk do të ndodhë. Ndaj, rruga e vetme drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme është qeveria teknike, me mbështetje të gjerë politike, duke garantuar kushtet që shqiptarët të mund të votojnë si qytetarë europianë. Beteja bëhet nëse qeverinë e ardhshme do ta zgjedhë droga e krimi apo do ta zgjedhin qytetarët. Në funksion të kësaj pyetjeje ekzistenciale, ju ftoj në bashkimin më të madh popullor, ditën e shtunë, në orën 12:00, në këtë shesh të lirisë dhe të së vërtetës. Të qetë dhe paqësorë, me vetëdije se fitorja do të vijë jo nga forca e forcës, por nga forca e bashkimit total”, shtoi Basha.