Kryetari i PD, Lulzim Basha i ka bërë thirrje qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë që t’i kërkojnë Francës lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të Ramush Haradinajt.

Gjithashtu, në një postim në Facebook, Basha ka kërkuar që qeveritë e dy vendeve të ndërpresin çdo lloj angazhimi me Beogradin deri në tërheqjen e të gjitha urdhër-arresteve ndërkombëtarë të Serbise ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ndërsa Rama duhet të kuptojë më në fund se dorëzimi i tij para qeverisë serbe pa kushte dhe pa asnjë dobi për shqiptarët duhet të marrë fund”, ka thënë Basha.

Në profilin e tij Basha ka bërë me dije se mbrëmjen e sotme ka zhvilluar një bisedë telefonike me Anita Haradinajn, bashkëshorten e Ramushit.

“I shpreha shqetësimin dhe revoltën time për këtë goditje tjetër të pabesë serbe ndaj heroit të Kosovës dhe mbështetjen time të plotë personale dhe politike”, ka bërë me dije Basha.

Ai ka shprehur bindjen e tij se, sot të gjithë shqiptarët janë me Ramush Haradinajn, pavarësisht bindjeve politike dhe përkatësive partiake.

“Anita më tha se Ramushi është plot kurajo dhe mbi të gjitha me besim se asgjë nuk mund të frenojë përparimin e Kosovës”, ka thënë Basha.