Nazmi Beqiri, ish-nënkryetari dhe aktualisht anëtari i lartë i BDI-së përmes një letre në facebook ka shkruar lidhur me incidentin në Reçicë të Vogël të Tetovës që përfundoi me vrasjen e Naip Rexhepit.

Ja postimi i plotë:

Ngushëllimet e mia të sinqerta familjes Rexhepi
Shërim të suksesshëm anëtarit të familjes Misini

Lajmin për zënkën dhe vrasjet në Reçicë të Vogël –Tetovë e mora në Saraj. Zoti e din se sa ndjeva dhimbje dhe indinjatë, për derdhjen e gjakut të shqiptarëve të Kumanovës dhe Kumanovë.

Për këtë ngjarje të dhimbshme BDI, paska dhënë komunikatë se ky rast nuk ka të bëjë me te (BDI).

Kjo është logjike se partia nuk ka luftuar, por njerëzit e saj po. Ngase dy palët janë anëtarë të BDI-së, kurse zënkat e këtyre palëve kanë ditur të gjithë. Madje në listën e propozuar nga lideri, për anëtarë të kryesisë së degës kishte anëtarë nga të dy familjeve që pësuan. Nuk e di se kush e ka propozuar atë listë, por ky propozim nuk është pa fajësi.

Për këtë rast kërkova fjalën dhe propozova që të shtyhet ose anulohet kjo mbledhje me këtë rend dite, për t’u marrë (shtruar), me çështjen e pajtimit prezentëve që nuk flasin mes vete. Me këtë rast iu drejtova edhe kandidatit që ishte përcaktuar për kryetar dege (duke menduar se do më dilte në ndihmë, ngase si të tjerët, mbase edhe më shumë dinte për zënkat mes njerëzve të degës që ishin aty), që po pranoi të pranojë këtë kandidim, do të isha kundër tij.

Me këtë rast, përmenda shkurt ndodhitë që të gjithë i dinin. Mes tjerash në këto përmendje ceka se kjo degë, nuk ka mbajtur as njëherë kuvend zgjedhor, por janë emëruar kryetar të saj njëpasnjë të cilët, të gjithë kanë dhënë dorhëqje dhe njëkohësisht të gjithë kanë pasur konflikte e zënka (janë rrahur) dhe me keqardhje duhet të them se pati edhe vrasje. Dhe prapë të vazhdohej me të njëjtën mënyrë nuk mu duk logjike. Pas këtij fjalimi, lideri e nxjerri në votim propozim dhe ia votuan të gjithë. Dhe le votimin por në dalje gjatë përshëndetjes me liderin i uronin për këtë mënyrë të punës dhe me mimika fytyrash dhe duarsh që dukeshin, mbase do t’i kenë thënë se Nazmiu ka luajtur…

Edhe më e keqja është se në dalje lideri e ndali njërën palë të konfliktit dhe i tha se këtë ngatërresë do t’ia linte atij që ta pleqërojë. Personi i ndalur i tha se pranon dhe se nuk dëshiron zënka, por mos të provokohej.
Pas këtyre fjalëve jemi përshëndet dhe kemi dalur, dhe jam nisur për rrugë.

E dua partinë ngase jam njëri (mbase më kontribuuesit) prej themeluesve të saj, po më shumë më dhimbset gjaku i shqiptarit dhe familjet që pësuan, ngase në familjen Rexhepi kemi pasur bazë të ilegalës, madje njëri nga ta ka qenë formues i sektorit ushtarak që me 1984.
Më dhimbset edhe familja e tjetër ngase jetojmë në të njëjtin fshat dhe pos të mirave dhe respektit që i bëjnë dhe u banë fshati atyre, nuk kanë bërë të keqe as sa e zeza e thoit dhe janë veprimtar të çështjes kombëtare brenda dhe jashtë vendit (diaspor).

Me të arritur në shtëpi kam marr njerëzit që kryesojnë këtë parti që të ndërhyjnë për besë, për ëmbëlsim të situatës. Përgjigjeja ishte më absurdja “nuk mund të ndërhyjet në këto momente”. I dëshpruar thash në vete: këto po veprojnë si polici shteti e cila ndëryn vetëm për mbledhje kufomash.

Nuk e kisha ndërmend të shkruaj, ngase në propozim kërkesat që shtrova në atë mbledhje ishin prezent 40 kumanovar, por më shtyu porositja e po kësaj udhëheqje që mos të dilja nga shtëpia, madje më qortuan se si paskam shkuar në punë (UT) në Tetovë, ku edhe punojë.
Ngase të ruhesha nuk ma kapte logjika. Ndoshta vetëm se isha i vetmi që kërkova pajtimin e njerëzve të po asaj kryesie. Dhënia e këtyre porosive pos çiltërsisë që mund të kenë, mbajnë në vete edhe intriga.

E përmbaj deklaratën e partisë pa varësisht nga kush është dhënë (nuk kam dëgjuar farë lajmesh ngase po neveritem ndaj tyre), se nuk ka pasur involvim në zënkë, por familjet që pësuan dolën nga selia e partisë. Andaj, ju që u zgjodhët pa bazën, ju që propozuat këto dhe mënyrën e kësaj pune, ju që nuk dëgjuat, ju që votuat, ndërhyni në qetësimin e afrimin e këtyre dy familjeve të djegura, ose do të vazhdoj të kërkoj stenogramin e fjalimit tim. Ndryshe nuk do të ndalët “lubia” derdhja e gjakut tonë. Mjaft më veprimeve mafioze, ngase po derdhët gjaku ynë…”, ka shkruar Beqiri.