Ballina Sport Bayern Munichu fiton mes vështirësive ndaj Arminia Bielefeldit

Bayern Munichu fiton mes vështirësive ndaj Arminia Bielefeldit

Bayern Munichu ka fituar me rezultat minimal 1-0 në shtëpi ndaj Arminia Bielefeld në ndeshjen e vlefshme për javën e 13-të në Bundesliga.

Ekipi i Julen Nagelsmann i është kthyer fitores në kampionat, duke triumfuar ndaj Arminias në “Allienz Arena” dhe duke u rikthyer lider i kampionatit.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim absolut të Bavarezëve, të cilët diktuan lojën dhe krijuan shumë raste.

Megjithatë, përkundër rasteve nga Thomas Muller (7’) dhe Robert Lewandowski (25’), portat mbeten të paprekura në 45 minutat e parë.

Në pjesën e dytë, Bayerni vazhdoi me lojë më të mirë dhe raste të shumta, teksa kësaj radhe ishin edhe konkret duke gjetur golin.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 71-të me anë të Leroy Sane, i cili shënoi një supergol nga distanca për epërsinë 1-0 dhe ky doli të ishte gol i fitores.

 

Pas kësaj fitore, Bayerni e sheh veten përsëri në vendin e parë me 31 pikë, ndërsa klubi nga Bielefeldi renditet në pozitën e 17-të me nëntë pikë.

Në ndeshjen e radhës, Bavarezët luajnë në udhëtim derbin e javës ndaj Borussia Dortmund, ndërsa Arminia pret Kolnin. /Telegrafi/