Banka Botërore i uli parashikimet për rritjen e ekonomisë së Maqedonisë. Për vitin 2016, në vend të 3.7% fillestare, rritja u ul në 2% apo 1.7 pikë procentuale më pak se projektimet e qershorit. Për këtë vit Banka Botërore parashikon rritje ekonomike prej 3.3% ose 0.7 pikë procentuale më pak sesa parashikimet në qershor. Një pjesë e ekonomistëve thonë se parashikimet janë të pritshme dhe se rritja e këtillë ekonomike nuk lejon që Qeveria të marrë borxhe si deri më tani dhe të rritet borxhi publik, njofton Alsat-M.

  Kjo tregon se ne nuk kemi industri dhe nuk kemi bazë, kjo do të thotë se kjo Qeveri që ishte në Maqedoni tashmë 10 vite nuk e mbështet industrinë. Askush nuk e di qëllimin e parave që merren borxh. Ato nuk janë as për thyerjen e borxheve të vjetra. Askush nuk na tregon përse na fusin në borxh kur nuk kemi. Kreditë më të këqija dhe më të rrezikshme janë kreditë pa ndonjë qëllim – tha Zoran Vitanov, kryetar i Asociacionit të Menaxherëve.

Ministria e Financave në kreditorët vendorë mori borxh të ri prej 31.7 milionë euro apo thuajse 16 milionë më shumë sesa shuma që duhet të kthehet si borxh. Për ekonomistët është e palogjikshme që Qeveria teknike të marrë borxhe.