Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka vendosur ende nëse do t’i tërheq ministrat të cilët bëjnë pjesë në Qeverinë VMRO-BDI. Sipas nënkryetarit të kësaj partie, Nevzat Bejta, një gjë të tillë e ka diskutuar Kryesia Qendrore, megjithatë dorëheqjet e ministrave nuk kanë se ku të dorëzohen, për shkak të mosfunksionimit të institucionit ligjvënës.

“Është diskutuar për dorëheqjet e ministrave të BDI-së, por meqenëse ministrat i zgjedh Kuvendi, ndërkaq Kuvendi nuk është duke funksionuar, ata nuk kanë se kujt të ja japin dorëheqjet, dhe nuk ka kush t’i pranojë ato.”, ka deklaruar për TV SHENJA, Nevzat Bejta, nënkryetar i BDI-së.

Ndërkaq, ai shtoi se kryetarëve të Komunave u kalon afati brenda pesë ditëve, dhe se së bashku me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, në pajtueshmëri me ligjin, janë marrë vesh që të vazhdojnë mandatin deri më 14 maj, ndërkaq presin që të marrin përgjigje se si duhet të veprojnë pas kësaj date.

“Kemi kërkuar nga ministrja që ajo të debatojë në Qeveri, dhe të kemi konkluzë nga Qeveria se si do të veprojmë ne si kryetarë komunash, pas 14 majit“, ka thënë Bejta.

Ai shtoi se për momentin është shumë e rëndësishme që Kuvendi të fillojë me punë, të zgjidhet dhe të zgjidhet edhe Qeveria. Dhe më pas, shtoi ai, kryetari i ri i Kuvendit, në bashkëpunim me partitë politike të shpallin edhe zgjedhjet lokale.

/SHENJA/