Qeveria dhe Ministria e Kulturës me standarde të dyfishta në fushën e kulturës. Edhe pse, sekretari shtetëror i kulturës, Bexhihudin Shehapi, në prezantimin e programit kulturor para dy ditëve, tha se bëhet fjalë për një program rekord sa i përket numrit projekteve në 20 vitet e fundit të kulturës shqiptare në Maqedoni, veprat që realizohen në këtë drejtim flasin ndryshe. Gjithandej kemi projekte që kanë filluar dhe janë lënë pas dore, ndërsa punimet në to zvarriten me vite. Dhjetë vite të ekzistencës të institucionit të Teatrit të Tetovës, objekti për të i cili ka filluar para dy viteve, jo vetëm që nuk ka përfunduar por është akoma shumë larg. Edhe pse ndërtimi i këtij objekti është akoma në fazën e punimeve të kateve të nëntokës, Shehapi premton se i njëjti do të na inaugurohet këtë vit.

“Sa u përket projekteve që janë pjesë e programit qeveritar për këtë vit është paraparë që të përfshihen edhe të lëshohen në përdorim, shpresojmë, Teatrit Shqiptar në Shkup dhe Qendra Kulturore ose Biblioteka dhe Teatri në Tetovë”, tha sekretar shtetëror Bexhihudin Shehapi.

Aktorët e Teatrit të Tetovës ankohen se nuk kanë kushte për ushtrimin e profesionit të tyre. Aktori Muzafer Etemi deklaroi se kjo flet se shoqëria jonë nuk i bën punët si duhet asnjëherë. Zvarritjen e punimeve Etemi e quan nënvlerësim të aktorëve nga organet kompetente.

“Është e lënë pas dore. Përderisa do të nisem nga nënvlerësimi I aktorëve për të cilët ka standard të dyfishta, përderisa aktorët e palës tjetër me rroga që janë pothuajse 200 euro më tepër se aktorët e Teatrit të Tetovës ose edhe të Shkupit, gjithashtu edhe projektet, pala tjetër ka projekte shumë më shumë se sa ne, kjo flet se këtu kemi të bëjmë me standarde të dyfishta dhe dikush e lejon këtë që të ndodh”, tha aktori Muzafer Etemi.

Drejtori i Pallatit të Kulturës në Tetovë, Haki Fazliu, thotë se zvarritja e punimeve vjen si rezultat i problemeve që kanë hasur në eliminim e kiosqeve që ndodheshin aty dhe për të cilat u është dashur 2 vite që t’i zgjidhin. Ndërkohë, gjatë eliminimit të këtyre problemeve, Qeveria ka rishqyrtuar planin e objektit. Edhe pse ai fillimisht ishte planifikuar që të ketë tre kate nëntokësore, Qeveria më pas ka sjell vendim që për shkak të kostos së lartë të hiqet njëri kat.

“Ka patur ndryshime. Projekti kryesor i cili kaloi në fazën e parë para se të fillojnë punimet është planifikuar të ketë tre kate nëntokësore për qëllime të parkingjeve publike e cila për shkaqe të kostos së katit të tretë me vendim të Qeverisë është kërkuar që të shkurtohet dhe kjo është bërë që aktualisht ky objekt ka dy kate nëntokësore dhe hapësirat tjera të cilat kanë mund të risistemohen në favor të asaj që të ulet kostoja e ndërtimit”, tha drejtor Ii Pallatit të Kulturës, Haki Fazliu.

Përderisa Qeveria ka shkurtuar kostot për Teatrin e Tetovës, e njëjta gjë nuk ka ndodhur edhe me Teatrin e Velesit, i cili është ndërtuar në vitin 2014, duke marrë një pamje bashkëkohore. Nëse teatri në Tetovë ka akoma pamjen e një gremine të madhe e cila nuk duket të përfundojë të paktën edhe disa vite, teatri në Veles është sanuar sipas trendëve bashkëkohore, duke i ofruar aktorëve komoditet dhe kushte të mira për punë, ndërsa qytetit i kanë dhënë një objekt të mirëfilltë kulturor.