Në mbledhjen e sotme kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), vendosi që kongresi i katërt i partisë të mbahet më 21 dhjetor në Shkup.

Zëdhënësi i partisë Bujar Osmani tha se kongresi është kulmi i procesit të zgjedhjeve të brendshme të partisë përmes degëve, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Ju vetë keni qenë dëshmitarë të një procesi të brendshëm jashtëzakonisht demokratik me të cilin BDI vendosi vërtet standarde të konkurrencës dhe përzgjedhjes demokratike të brendshme. E gjithë kjo duhet të kulmojë me kongresin duke zgjedhur bordin qendror, kryetarin e partisë, por edhe misionin e BDI-së për periudhën e ardhshme, pesë rezolutat që do të miratohen si dhe ndryshimet statutore dhe programin e ri”, tha Osmani.

Ai tha se për zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk ka vendime përfundimtare, duke shtuar se nuk do të jenë me një njësi zgjedhore.

I pyetur nga gazetarët për zëvendësimet kadrovike në MPB, gjoja për marrëdhëniet LSDM-BDI, Osmani tha se policia është jopartiake dhe ashtu duhet të mbetet.