Ne, perfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni: “Bashkimi Demokratik për Integrim”, “Koalicioni Rilindje me Besë” dhe “Aleanca për Shqiptarët”;
 
Duke respektuar vullnetin e lirë dhe demokratik të votuesve shqiptarë të shprehur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë, më 11 dhjetor 2016;
 
Në frymën e Marrëveshjes të Ohrit, të demokracisë konsensuale dhe nevojës për të përmbushur detyrimet normative që rrjedhin nga ndryshimet kushtetuese;
 
Duke riafirmuar përcaktimet programore dhe strategjike të përbashkëta të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë;
 
Të angazhuar për prosperitetin dhe stabilitetin afat-gjatë të Maqedonisë;
 
Të udhëhequr nga përkushtimi i përbashkët për paqe, stabilitet, siguri, bashkëjetesë ndëretnike, në frymën e barazisë dhe dinjitetit, sipas konventave europiane dhe ndërkombëtare, harmoni fetare dhe bashkëpunim në vend dhe rajon;
 
Të përcaktuar, pa asnjë alternativë tjetër, për integrim në NATO dhe në Bashkimin Europian;
 
Biem dakord për përkrahje të ndërsjellë të agjendës së përbashkët politike që parashikon realizimin e objektivave që vijojnë, në mandatin e ardhshëm qeverisës dhe/ose në çdo mandat tjetër pasues:
 
 
1. Arritja e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën
 
• Zbatimi i përpiktë i parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e RM, ku shqiptarët njihen si popullësi shtet-formuese. Mbështetje e çdo iniciative ligjore dhe kushtetuese që përforcon barazinë etnike për popullësinë shqiptare.
 
• Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se “gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë”. 
 
• Debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetëtore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multietnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike.
• Miratimi i një Rezolute në Parlamentin e Maqedonisë me të cilën dënohet gjenocidi ndaj popullit shqiptar në Maqedoni në periudhën 1912 – 1956. 
 
 
2. Arritja e barazisë ekonomike dhe e mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal
 
• Krijimi i një mekanizmi të ri, në formën e një Komisioni Shtetëror për Financimin e Komunave, për një vendimarrje më të drejtë për grantet qeveritare në përfitim të komunave. 
 
• Krijimi i një Ministrie për Sistem Politik dhe Marredhenie midis Komuniteve, si organ përgjegjës për respektimin e të drejtave të komuniteteve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në zonat e defavorizuara.
 
• Realizimi i përfaqësimit të drejtë në organet e sigurisë, ushtrisë, inteligjencës dhe të drejtësisë.
 
• Realizimi i përfaqësimit të drejtë në të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore si dhe në agjensitë publike ose ndërmarrjet me aksione publike. 
 
3. Përforcimi i sundimit të së drejtës, si parakusht për ecurinë e procesit të integrimit euro-atlantik
 
• Zbatimi i planit të reformave në përputhje me Marrëveshjen e Shkupit, Rekomandimet e Pribese, rekomandimet urgjente te Komisionit Evropian si dhe Rekomandimet nga Dialogu i Larte Paraqases me BE.
 
• Përkrahje e punës së paanshme të Prokurorisë Speciale, pa paragjykime etnike dhe politike. 
 
• Zbardhja e plotë e çështjeve dhe proceseve gjyqësore si “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe “Kumanova” nëpërmjet një komisioni hetimor ose një trupe të pavarur ndërkombëtare.
 
4. Krijimi i një fryme mirëbesimi në funksion të marrëdhënieve të mira ndëretnike si element thelbësor për stabilitetin politik të vendit
 
• Marrja e masave afirmative për të siguruar financimin e institucioneve kulturore shqiptare në nivel vendor dhe qendror.
 
• Krijimi i një institucioni qëndror për avancimin e gjuhëve të komuniteteve, i cili do të sigurojë përgatitjen e përkthyesve, redaktuesve dhe lektorëve. 
 
5. Zgjidhja e çështjes së emrit, në përputhje me vlerat europiane dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare
 
• Miratimi i një Rezolute të Perbashkët dhe Detyruese në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë me të cilën Qeveria e Republikës së Maqedonisë angazhohet në mënyre aktive në drejtim të zgjidhjes se cështjës së emrit.
• Përfshirje e shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Greqinë.
 
6. Marrëdhënie të mira me fqinjët
 
• Përfshirje e shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Bullgarinë.
 
• Bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë për menaxhimin e integruar të kufijve.
 
• Hapje e pikave të reja kufitare.
 
7. Integrim i shpejtë në NATO dhe në Bashkimin Europian. 
 
• Përmbushja e pikave të mësiperme do të zhbllokojë rrugëtimin e Maqedonisë drejt integrimit të plote në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anetarësim në Bashkimin Evropian.
 
 
Përmbushja e këtyre objektivave do të mbikqyret nëpërmjet krijimit të Tryezës së Partive Shqiptare Parlamentare.
 
Tryeza e Partive Shqiptare Parlamentare do të funksionojë sipas parimit të rotacionit dhe do të shërbejë si platformë për harmonizimin e aksionit politik dhe komunikimin transparent me partnerët ndërkombëtarë të Maqedonisë, duke kërkuar veçanërisht mbështetjen e Bashkimit Europian dhe institucioneve ndërkombëtare.
 
Tryeza do të përcaktojë afatet për realizimin e objektivave të sipërpërmëndura, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.