Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti para dy netëve nga selia blu në Reçicë të Vogël komunikoi lajmin e marrëveshjes së arritur me liderin e LSDM, Zoran Zaev për formimin e Qeverisë, duke pranuar se pjesë të Deklaratës së Partive Shqiptare kanë ngelur të përjashtuara nga programi qeverisës.

Burime partiake pranë LR-PDSH theksojnë se BDI është e njohur për pazarllëqe të tilla ekspress për të hyrë në Qeveri dhe këtë e ka dëshmuar edhe në qeveritë e kaluara.

“Ne kemi politikat tona autentike që bazohen në kërkesa politike për realizimin e çështjeve të shqiptarëve. Nuk dijmë pazaret e tyre se çfarë janë marrë vesh, pasi që nuk duam të dëgjojmë për planet e tyre, sepse LR-PDSH ka politikat dhe interesat e saj karshi elektoratit, por edhe në përgjithësi interesit shqiptar në Maqedoni. Por ajo që mund të themi është se kjo parti është e njohur me pazarllëqe të tilla të shpejta, vetëm për të ngelur në kolltuqet e pushtetit”, theksuan për INA, burime partiake pranë opozitës shqiptare.

Ahmeti theksoi se Deklarata e përbashket e partive shqiptare nuk do të jetë e plotë në programën e Qeverisë së re, por vetëm disa pika.

“Sa i takon Deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare, ajo është një deklaratë programore e cila është e përfshirë në të gjitha programet e partive politike shqiptare dhe unë nuk mendoj që paraqet as rrezik, po as edhe ndonjë anashkalim të çështjeve që kanë të bëjnë me perspektivën dhe stabilitetin e vendit dhe të shtetit. Ajo deklaratë është në të mirë të RM-së, në të mir ëtë rajonit….ka çështje shumë të rëndësishme siç është anëtarësimi i vendit në NATO, në BE, zhvillimi ekonomik, zhvillimi i barabartë i rajoneve…. Asgjë të keqe nuk ka, dhe pikat kryeasore të asaj deklarate janë të përfshira në programin qeveritar. Po ka çështje në atë deklaratë politike të cilat do të shtrohen për diskutim publik, dhe nuk është fshehtësi”, ka theksuar Ahmeti.