Marrja e hises shqiptare nga buxheti dhe 1081 projekte me vlerë prej mbi 2 miliard eurosh ishin shtylla kryesore e platformës së Bashkimit Demokratik për Integrim në zgjedhjet e vitit 2014. Me këto 2 miliard euro BDI në çdo tubim premtonte investime kapitale që do të përmirësonin dukshëm gjendjen e vendbanimeve shqiptare, do të ulnin papunësinë dhe do të avanconin gjendjen sociale-ekonomike të shqiptarëve. Bashkë me hisen e premtuar në buxhet e cila paraqiste 66% të gjithë buxhetit të Maqedonisë, BDI premtoi edhe vendimmarrjen koncensuale.
“Ky themel përforcohet me implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, përfaqësimin e drejtë, konsensuzin politik dhe rritjen e mirëbesimit. Mirëqenia qytetare, zhvillimi ekonomik dhe social përbëjnë konstruktin e kësaj shoqërie. Në mënyrë që ky konstrukt të jetë i qëndrueshëm është e domosdoshme shpërndarja proporcionale e buxhetit, zhvillimi i barabartë rajonal, ulja e papunësisë, arsim cilësor dhe një mjedis i pastër”, kishte deklaruar Fatmir Besimi, ish zëvendës kryeministër i BDI-së.
Përveç vendimmarrjes konsensuale, BDI në vitin 2014 premtoi edhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore. E përata që nuk do të respektojnë këtë parim, platforma e BDI-së parashihte edhe sanksione të rënda.

“BDI-ja ka përcaktuar si prioritare segmentet që kanë mbetur prapa në realizimin e procesit të përfaqësimit të drejtë. Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit si organ përgjegjës për realizimin e kësaj dispozite kushtetuese, në kuadër të qeverisë do të ketë autorizime më të mëdha për të sanksionuar ministritë, agjencitë dhe organet e tjera të administratës shtetërore, në rastet kur ata nuk e respektojnë parimin e përfaqësimit të drejtë”, pati deklaruar Musa Xhaferi, ish zëvendës kryeministër.

Por që nga marrja e mandatit, gjatë dy viteve në qeverisjen e fundit, asnjë institucion ose bartës institucioni nuk u sanksionua, ndërsa shumë organe shtetërore vazhdojnë të injorojnë përfaqësimin e drejtë. Ndërkohë lideri i kësaj partie, Ali Ahmeti, siguronte qytetarët se kuadrot e partisë së tij do të kenë përgjegjësi për jetësimin e këtyre premtimeve.
“Dje mbyllëm një kapitull, sot hapim një të ri, me çka ky kapitull, kjo platformë, ky program, kjo hartë, ku shkruhet dhe thuhet se ngado që të ecim, ngado që të shkojmë, nuk duhet harruar se ne jemi në objektivin satelitor, në syrin e popullit. Ne duhet të rrisim përgjegjësitë. Duke rritur përgjegjësitë, sigurisht që jemi shumë më afër jetësimit dhe materializimit të qëllimeve të cilat i kemi”, deklaroi Ali Ahmeti, BDI, pati deklaruar Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Për realizimin e këtyre premtimeve BDI kërkoi 20 deputetë. Kjo parti në zgjedhjet e vitit 2014 fitoi 19, ndërsa më pas një deputete e zgjedhur nga lista e RDK-së ju bashkangjit duke kompletuar numrin e kërkuar. Por pas marrjes së mandatit, platforma me 400 faqe u zhduk, ajo nuk gjindej as në faqen zyrtare të BDI-së.  Sot, në vend të mbajtjes së përgjegjësisë së premtuar nga vetë ai, lideri i BDI-së, del me alibi të ri. Ngjashëm si 20 deputetët në vitin 2014, Ahmeti tani kërkon një mandate të plotë katër vjeçarë, pasi sipas tij ky është shkaku i mospërmbushjes së premtimeve.
Shumica e projekteve të parealizuara nga platforma e vitit 2014 janë kopjuar edhe në platformën më të re të BDI-së. Në mesin e tyre janë edhe premtime të përsëritura edhe nga disa cikle më parë si nga viti 2008, 2011 dhe dy ciklet e zgjedhjeve lokale.