E shtunë, 24 Tetor, 2020
13 C
Skopje
Lajme

BDI premtonte libra falas dhe pa gabime qysh në 2011, sot janë të shkatërruar dhe me gabime skandaloze

Në faqen 22, në kategorinë e Arsimit cilësor në Platformën e BDI-së gjatë zgjedhjeve të vitit 2011 përmendet projekti i realizuar për sigurimin e librave falas për çdo nxënës dhe gjithashtu u premtua përmirësimi i teksteve shkollore dhe sigurimi i përmbajtjes së tyre të reflektojë karakterin e shtetit ku sipas partisë shqiptare në pushtet kishte filluar të realizohet qysh në vitin 2011 në bashkëpunim me ekspertë dhe me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar.

Mirëpo rezultatin e këtyre premtimeve nuk po i shohim askund. Mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit vazhdojnë të ankohen për librat e vjetër të grisur të cilët vazhdojnë të jenë në përdorim qysh nga viti 2009, për të cilët u tha se do të ndroheshin çdo katër vite.

Mësimdhënësit përveç se ankohen për gabimet ata thonë se edhe cilësia e materialit është e dobët dhe dëmtohet lehtë.

“Materiali është shumë i dobët dhe griset lehtë e më pas prindërit detyrohen të paguajnë dëmet. Ky nuk është projekt për libra falas, se po të ishte ashtu do të ndroheshin pas katër viteve, ashtu siç ishte paraparë”, tha Arben T., mësimdhënës.

“Gabimet janë të shumta, që nga ato gramatikore e deri tek përkthimet skandaloze të cilat nuk kanë kuptim fare dhe hutojnë nxënësit tejmase. Nuk e di se di mund të vazhdojnë të jenë pjesë e procesit mësimor këto libra tani më gjashtë vite”, tha R.G., mësimdhënës.

Po ashtu edhe prindërit thonë se paguajnë për librat skandaloz të fëmijëve të tyre.

“Shpesh herë kur kërkojnë ndihmë për detyrat e shtëpisë shokohemi nga gabimet që nuk kapërdihen, nuk e di se si mund të ndodh kjo në një kohë kur tani më 6 vite kemi ministër shqiptarë në këtë dikaster dhe jo vetëm që nuk përmirësojnë gabimet, por gjithashu kërojnë para për ato libra që janë dëmtuar, po si mos dëmtohet libri kur është në përdorim që 7 vite?!”, tha Blerim Tahiri, prind.

“Fillojnë premtime dhe e dimë që ka zgjedhje. Kështu është gjithmonë me politikanët tanë. Po ti dëgjosh thua se kur të fitojnë zgjedhjet gjithçka do rregullojnë, mirëpo asgjë nuk bëjnë. Rast konkret me librat që shtatë vite, që shtatë vite premtohet dhe asgjë nuk bëhet, turp!”, tha Ridvan Imeri, prind.

Në librin e Gjeografisë gabimet vërehen që në ballinën e librit ku emri i lëndës është shkruar gabimisht. Edhe përkthimet e teksteve janë pa një strukturë të mirë gramatikore ndërsa janë të pranishme edhe shtrembërimet e ngjarjeve të rëndësishme historike. Në librin e historisë Shën Jan Kukuzeli i cili në tekstet e historisë shqiptare njihet si një murg ortodoks nga Durrësi , himnograf, mjeshtër dhe teoricien i muzikës kishtare bizantine, tani ai përshkruhet si Jovan Kukuzeli, krijues i njohur i muzikës maqedonase. Edhe shumë gabime tjera të evidentuara më parë vazhdojnë të jenë të pranishëm.

Nga Ministria e Arsimit përsërisin qëndrimet të dëgjuara vite me radhë, për ndryshime ligjore me qëllim hartimin e teksteve të reja.

“Si ministër i Arsimit kam ndërmarr masa dhe menjëherë kam reaguar duke formuar një grup ekspertësh të cilët do të merren me analizat dhe përpjekjet që këto tekste shkollore ti kemi në fund pas analizës së tyre një model në të cilin këto gabimet nuk do të përsëriten edhe në të ardhmen”, tha ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu.

Premtime të tilla para gati dy viteve kishte dhënë edhe paraardhësi i tij Abdilaqim Ademi.