BDI-ja vlerëson se nuk ka nevojë që shqiptarët të binden, për të dalë në referendum. Madje partia e Ahmetit beson se shqiptarët do të mbështesin referendumin, pavarësisht se projektet shqiptare si Ligji për përdorimin e gjuhëve, platforma e përbashkët e partive politike shqiptare, përfaqësimi adekuat nëpër institucione dhe ndryshimet kushtetuese kanë mbetur në qorr sokak. Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani thekson se shqiptarët do të vulosin referendumin e 30 shtatorit i cili hap rrugën për anëtarësim në NATO dhe BE. Pas kësaj, Osmani vlerëson se shqiptarët do të gëzojnë stabilitet, zhvillim ekonomik dhe standard Evropian edhe pse gjërat e tilla premtohen tashmë disa vite, por që tani, sipas Osmanit do të jetësohen me anëtarësimin në NATO.

Shqiptarët nuk duhet bindur për referendumin. Shqiptarët janë ata të cilët kanë kërkuar ndër vite që Maqedonia të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së, sepse NATO garanton që shqiptarët të jenë pjesë e familjes Evropiane dhe asnjëherë nuk do të jetë më nën ndikimin e lindjes si Rusisë dhe zonës saj të ndikimit nga vendet e rajonit. Shqiptarët e dinë mirë se si është reflektuar tek ta ndikimi i rus dhe ai lindor. Ata duan njëherë e përgjithmonë që së bashku me shqiptarët tjerë në rajon të jenë pjesë e familjes Evropiane dhe për këtë nuk duhet bindur. Shqiptarët kanë pritur këtë ditë. Shqiptarët mezi e presin 30 shtatorin që njëherë e përgjithmonë të shkurtojnë çdo mundësi të ndikimit rus në të ardhmen këtu ndaj nesh- deklaroi Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.