Ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2014 kur kryefjalë në fushatën e BDI-së ishte marrja e njërit nga tre postet kryesore në shtet, kjo temë është lënë në heshtje gjatë kësaj fushate elektorale. Nga BDI theksojnë se nuk kanë hequr dorë nga posti i presidentit, kryeministrit apo kryetarit të kuvendit madje këtë çështje e kanë përfshirë në 5 prioritet kryesore të partisë për mandatin e ardhshëm. Por as kreu i BDI-së Ali Ahmeti dhe as kandidatët e tjerë të partisë që garojnë në zgjedhje nuk e kanë prekur thuajse fare këtë temë gjatë fushatës. Për analistin Alajdin Demiri, BDI ka zbutur tonet dhe kërkesat për shkak të mungesës së kapacitetit politik.

“Fakti që në parlament përdoret gjuha shqipe që asnjëherë nënkryetari nuk duhet të flet në gjuhën shqipe dëshmon se kapacitet e tyre janë të një niveli të ulët ose janë të zënë me afera të ndryshme korruptive dhe kërkesat politike nuk mund ti përmbushin. Tani e kanë ulur pazarin konform kapaciteteve të tyre se në këto zgjedhje në këtë fushatë nuk premtojnë asgjë”, theksoi analisti Alajdin Demiri.

Çështja e presidentit konsensual dhe marrja e njërit nga tre postet kryesore në shtet ishte trumbetuar fuqishëm gjatë fushatës zgjedhore të BDI-së në vitin 2014.

“Shqiptarët marrin përgjegjësi për të drejtuar shtetin qoftë president, qoftë kryeministër apo kryetar kuvendi dhe kjo s’duhet t‘i frikësojë, kjo duhet t’i trimërojë dhe të mos vuajnë nga ai kompleks se ja po na ikën shteti”, kishte deklaruar në 29.03.2014 Ali Ahmeti, gjatë fushatës së kaluar.

PDSH nga ana tjetër në këto zgjedhje ka hedhur idenë për një zv/kryeministër shqiptar në qeverinë e ardhshme i cili do të ketë të drejtë të vetos sa iu përket çështjeve të shqiptarëve.

“Shqiptarët duhet ta kenë përfaqësuesin e tyre në institucionin më të lartë shtetëror, në qeveri, zv/kryeministrin i cili do ta ketë nënshkrimin e lidhur me kryeministrin dhe asnjë propozim vendim asnjë vendim i qeverisë nuk mund të shkojë për miratim në parlament pa pasur këto dy nënshkrime” ka deklaruar Menduh Thaçi në 24.11.2016, gjatë kësaj fushate.

Çështja e drejtimit të posteve kryesore në shtet nga kuadër shqiptar shumë pak është përmendur edhe nga partitë e tjera shqiptare që garojnë në zgjedhje. Alsat-M