Pas skadimit të planit aktual për shpëtim, nga mesi i vitit 2018, Greqia është e mundur të mos ketë nevojë për program të ri për ndihmë, deklaroi udhëheqësi i Mekanizimit evropian për stabilizim, Klaus Regling.

“Nëse në 18 muajt e ardhshëm ndihma shfrytëzohet në mënyrë të drejtë, jam i bindur se ky do të jetë programi i fundit që duhet ta zbatojë Greqia”, deklaroi Regling në një intervistë për gazetën gjermane “Zidojçe Cajtung”.

Ai vlerëson se nëse i zbaton masat e dakorduara, veçmë nga mesi vitit të ardhshëm Greqia do të mund “vetë të qëndrojë në këmbë dhe të marr hua mjete nga tregjet financiare”.

Regling në intervistë konfirmon se mes institucioneve evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar ekzistojnë dallime rreth parashikimeve për perspektivat e ardhshme ekonomike të Greqisë, para se gjithash në pjesën e qëndrueshmërisë së borxhit shtetëror.

“Ekzistojnë dallime edhe rreth asaj sa Athina i ka zbatuar obligimet e ndërmarra për stabilizim të sistemit të saj financiar. BE-ja vlerëson se Greqia praktikisht bëri gjithçka që është e mundur për konsolidim të buxhetit, ndërsa FMN-ja vlerëson se ka edhe shumë punë në këtë sferë”, shton Regling në intervistën për “Zidojçe Cajtung”.