Shefa e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka takuar sot zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Tahiri.

Në një postim në Twitter, Apostolova u shpreh e kënaqur me këtë takim, ndërsa kërkoi nga qeveria sqarime se kush do ta udhëheqë agjendën evropiane të Kosovës, kjo pasi qeveria e re ka shuar ministrinë e Integrimeve Evropiane.

“Takim shumë i mirë me Besnik Tahirin sot, diskutuam për punën mbi prioritetet e qeverisë së re të Kosovës. Është mirë të shohësh përvojën dhe udhëheqjen politike për reformën institucionale. Do të punojmë bashkërisht për së afërmi. Tani na duhet sqarim se kush e udhëheqë agjendën evropiane”, shkroi Apostolova në Twitter, raporton Zeri.info.

Ndërkaq, vetë zv/kryeministri Tahiri, tha se takimi me Apostolovan ishte produktiv për sa i përket agjendës së reformave dhe rrugës drejt integrimit në BE.

“I falënderohem BE-së për mbështetjen në menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe pres me padurim të punojmë bashkë. Ritheksova domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave”, shkroi Tahiri në Twitter./