Në rrjetet sociale vazhdon dezinformimi dhe hutimi i opinionit publik. Shqetësues vazhdon të mbetet dhe interaksioni i lartë në postimet që përhapin dezinformata. Përmbajtja që recensojmë pretendon se “BE ka vendosur të heq pasaportën e vaksinimit dhe me këtë rast nuk do ketë nevojë të vaksinohen ata të cilët akoma nuk janë vaksinuar”.

Përmbajtja që përhap dezinformim mban titullin “Kush E Hëngri, E Hëngri”, Konspiracionisti Alfred Cako Ndërron Mendje: Pas 20 Tetorit Merr Fund… Titulli në fjalë është shpërndarë në rrjetin social “Facebook” nga një profil me emrin “Shqipëria” dhe në vetëm pak ditë postimi ka marr mbi 600 pëlqime, mbi 180 komente dhe është shpërndarë mbi 70 herë nga përdorues tjerë në “Facebook”.

Pra, përmbajtja bazohet në komentet e konspiracionistit të njohur për publikun Alfred Cako. Figura e Cakos ka qenë shumë dominante në media gjatë kësaj periudhe, kryesisht për teoritë konspirative dhe fushatën anti-vaksinim, ka nga ata që nuk i marrin parasysh komentet e këtij presoni jo-kompetent për çështjet në fjalë por ka edhe shumë nga ata që e besojnë dhe manipulohen nga komentet e tij. Alfred Cako është një figurë kontroverse nga Shqipëria komentet e të cilit nuk bazohen në fakte dhe hulumtime shkencore. Dezinformatat e Cakos kanë evoluar varësisht se si ka rrjedhur situata me COVID 19. Aktualisht komentet e tij kanë të bëjnë me procesin e vaksinimit për tu mbrojtur nga COVID19.

Në përmbajtjen që recensojmë Cako pretendon se: “Mbas dates 20 tetor ka shume gjasa qe BE të heqe pashaporten jeshile. Kush e hengri cpimin, e hengri”. Megjithatë, për momentin nga autoritetet relevante nuk ka ndonjë informacion zyrtar se BE po pretendon të ndërmerr një hap të tillë. Ndërkohë, Cako nuk harron të përsërisë teorinë absurde se përmes vaksinimit njerëzve po ju futën çipa në organizëm.