Ajo që po ndodh në Aleppo ka solidarizuar miliona njerëz nga e gjithë botë, e sigurisht të tillë janë edhe shqiptarët. Një ndër ta, biznesmeni Behgjet Pacolli ka kontribuar duke u ardhur në ndihmë civilëve në Aleppo me anë të fondacionit të tij.

Teksa në Aleppo janë shënuar mijëra viktima dhe ata që kanë mbetur jetojnë çdo sekondë me frikën e vdekjes, shqiptari Pacolli ka reaguar lidhur me këtë “ferr” që po përjetohet në Siri, ndërsa shton se plagët janë ende të hapura duke nënkuptuar se vetë populli shqiptar i ka përjetuar ditë të tilla dhe nuk ka si të mos solidarizohet në një situatë të ngjashme.

“Nuk po mund të qëndroj indiferent ndaj gjendjes aktuale në Siri. Pamjet e fundit nga Aleppo janë sinonim i dobësisë njerëzore, ato tregojnë se egoja e njeriut për pushtet nuk njeh limite. Pushteti po ushqehet me gjakun e njomë të fëmijëve të pafajshëm, që në gjendje normale do të ishin e ardhmja e vendit. Popullata civile në atë vend ka mbetur pa shpresë dhe pritjen e vetme që ka është momenti se kur do të vdesin.

Kjo është e pafalshme, e papërsëritshme dhe e tmerrshme! Këto ditë jam angazhuar maksimalisht që nëpërmjet fondacionit tim t’i dal në ndihmë popullatës civileAleppo. Është më e pakta që mund të bëj në këto rrethana të vështira.

Populli ynë që ka përjetuar historikisht tragjedi dhe ka qenë viktimë e krimeve ndaj njerëzimit i përjeton shumë rëndë ato pamje. Plagët tona janë ende të hapura”, ka shkruar Pacolli në Facebook./Albeu.com/