EDITORIAL

Paralajmërimi i themelimit të një të ashtuquajturi  Këshilli Mbikëqyrës dhe Këshilli i Pajtimit Kombëtar, s’është gjë tjetër veçse një instrument manipulimi nga subjekte të caktuara që kanë për qëllim në mënyrë tinzare të mbështesin një subjekt politik në zgjedhjet e ardhshme.Qëllimi i këtij far Këshilli Mbikëqyrës, jo vetëm për njohësit e   aktualitetit politik në Maqedoni, por për të gjithë shqiptarët është lehtësisht i lexueshëm, për vetë faktin se kush janë emrat e pretendentëve të bartësve të këtij procesi.

Kryesisht janë individ që kanë qëndruar anësh, në kohë të zhvillimeve të rëndësishme politike të shqiptarëve, kuptohet, për hir të së vërtetës jo të gjithë. Megjithatë një pjesë prej tyre, janë njerëz të vetëpëlqyer që nuk i ka zgjedhur kush, e ku profesionin e patriotit e ushtrojnë varësisht prej momentumit politik, si ky në të cilën ndodhemi tani.
Janë interesante kërkesat e tyre, kur theksojnë se duhet të mbështesin dhe të përkrahin  opozitën shqiptare për koalicion parazgjedhor, ku me automatizëm bëjnë gabimin e parë të qëllimshëm duke vënë theksin vetëm të partitë opozitare ku harrojnë se një prej ktyre partive që këta i thërrasin të bejn koalicion trepalësh, nuk është parti opozitare. Prandaj në formulimin e tyre nëse do ishte i sinqertë do duhej të thuhej  të gjitha partitë shqiptare që angazhohen në delegjitimimin e BDI-së, para shqiptarëve.

Edhe kërkesa tjetër e këtij far Këshilli që pretendon të ngritët si shpëtimtare e shqiptarëve, është shumë e cekët, sepse këta do t’u kërkojnë dhe do t’u sugjerojnë  partive politike shqiptare, që  janë të kapura dhe të blera nga agjenturat e huaja, të bëjnë kthesën e madhe, përndryshe do të denoncohen hapur për tradhti ndaj kombit!
Eh, kush qenkan këta të denoncojnë partitë  kapura prej shërbimeve dhe agjenturave të huaja, kur vetë shumica prej tyre, janë njerëz që vetë agjenturat e huaja i kanë krijuar, mbase pa vetëdijen e tyre duke ua shpërlarë trurin se ju jeni ata patriotët e vërtet që duhet ti shpëtoni shqiptarët.
Një kërkesë tjetër  e tyre ndaj partive politike është që t’u kërkojnë atyre hetim  ndërkombëtar për rastet e montuara politike.
Çudi! Edhe kjo kërkesë e këtij grupi interesant, tregon qartë mosnjohje të theksuar të aktualitetit politik. Për më tepër prej një kohe të gjatë janë pikërisht partitë politike shqiptare sidomos ato në opozitë që vazhdimisht kanë kërkuar hetim ndërkombëtare, zbardhjen e rasteve të montuara politike që u janë montuar shqiptarëve, bile kanë kërkuar edhe vënien para përgjegjësive të gjithë atyre që kanë montuar këto raste.
Prandaj do të ishte e udhës dhe më së e ndershme që të ndaloni turbullimin edhe më shumë të skenës politike, sepse nuk jeni ju ata që mund të ndikoni në vetëdijësimin e popullatës, për të luftuar armikun në vetëvete dhe  të tregoni ju se kujt duhet që shqiptarët t’ia japin votën.

Nëse këtë moment politik nuk e kanë kuptuar ata që edhe kanë rreth vetes, dhjetëra mijëra mbështetës, e që kanë përgjegjësi t’u prijnë shqiptarëve, sigurisht se nuk mund të jeni ju, që nuk përfaqësoni edhe veten e juaj, e as më tepër një tjetër nga Zvicra, e një kamionxhi nga Amerika që s’i ka zgjedhur kush, të uzurpojnë emrin diasporës shqiptare dhe as më pak të flasin në emër të saj.
Prandaj, ju të dashur patriot, bën mirë t’i leni rehat kryetarët e partive politike , të gjejnë zgjidhjen e duhur, në të mirë të shqiptarëve. Sigurisht ata e dijnë më së miri, se kush me kë duhet të bashkohet për të ç’rrënjosur këtë rregjim kriminal që ua ka zënë frymën shqiptarëve për gati 20 vite.
Të gjithë ata duhet të punojnë që ky bashkim të ndodh, por jo vetëm deklarativisht.
Duhet vlerësuar ideja dhe qëllimi i mirë, kuptohet nëse është i sinqertë i njërit prej subjekteve politike që ka marrë barën e përgjegjësisë për ti bërë bashkë këta subjekte që janë deklaruar haptas, se janë kundër politikave që ka ushtruar BDI për kaq vite. Mirëpo duhet edhe subjektet tjera të sillen me përgjegjësi ndaj kësaj ftesës për bashkërendim, sepse s’është aspak korrekte, që sa për sy e faqe të deklarohesh se je për koalicion trepalësh, e nga ana tjetër të mos lësh gurë pa gjuajtur ndaj një subjekti tjetër, që shprehesh i gatshëm për të bashkëpunuar.

Sidoqoftë, koha është duke ecur shpejt, shqiptarët presin ndryshim, prandaj edhe ju kanë dhënë votat. Mos lejoni që individ, mashtrues, diletant dhe matrapaz që nuk i dëgjon edhe shpia e vetë të ju tregojnë rrugën që duhet të ndiqni.
Bëhuni bashkë, sepse këtë e presin shqiptarët.

Mos i zhgënjeni ata!

©fol.mk