Aktivisti i BDI-së, Valon Bela, sot ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale letër proteste “mbi pakënaqësinë time rreth mos inicimit të hetimeve mbi rastet e montuara të qytetarëve shqiptarë”.

“Këta raste janë ata të cilat, i keni dëgjuar dhe i kemi dëgjuar në përgjimet e paligjshme por çuditërisht akoma nuk kanë brerë ndërgjegjen tuaj për t’iu qasë seriozisht këtyre rasteve, e të cilat janë shumë të kërkuara si p.sh: rasti i Harun Aliut (Ismail Aqemit dhe Bashkim Bajrami), Sopotit, Monstrës, Lagjes së Trimave, etj. Duke pasur parasysh se sikur edhe në titullin tuaj (hapjen e hetimeve bazuar në përgjimet e paligjshme) dëgjohen bisedat mbi rastet e sipërpërmendura, ju asnjëherë nuk e keni vlerësuar si të nevojshme dhe të arsyeshme nisjen e hetimeve ndaj këtyre rasteve”, shkruhet në letrën e Belës.

Sipas Belës, “mospërfshirja e asnjë nga rastet e montuara në punën e PSP-së kontribuon në thellimin e hendekut të mosbesimit të qytetarëve (në veçanti atyre shqiptarë) ndaj institucioneve, sidomos atyre gjyqësore”.

“Andaj me të drejtë edhe ju adresohem me këtë letër protestë në mënyrë që të jeni sa më koshientë rreth situatës dhe perceptimeve të ndërtuara për ju si Prokurori Speciale Publike si dhe të mundohemi të gjithë së bashku të kontribuojmë rreth të vërtetës deri sa ajo doemos të triumfojë”, shkruhet në letër.

Gjatë hapjes së tre rasteve të reja, PSP dje njoftoi se rastet “Monstra”, “Shkupi 2014”, “Martin Neshkovski”, “Lagjja e Trimave”, në këtë periudhë ende nuk mund të informohet opinioni pasi që të njëjtat janë në procedurë hetimore.

Paraprakisht, disa herë PSP i ka bërë thirrje Kuvendit që t’ia votojë ligjin për dëshmitarët e mbrojtur megjithatë, që të mundet t’i hetojë rastet në fjalë. Megjithatë, kërkesa për këtë të fundit nuk u votua nga ish përbërja qeveritare VMRO-BDI.

Gjatë seancës kur duhej të votohej ligji për dëshmitarë të mbrojtur, vetëm 42 deputetë votuan “për” dhe 52 votuan “kundër”. Shumica e deputetëve të BDI-së nuk ishin fare në sallë gjatë votimit. Bela duhet t’i bind bashkëpartiakët e tij, që radhën e ardhshme t’i votojnë kërkesat e PSP-së pasi që të njëjtat, sipas Janevës, janë të patjetërsueshme për të hyrë më thellë në lëndët e rasteve si “Monstra”, “Sopoti” dhe “Martin Neshkovski”