Karateisti shqiptar nga Gostivari, Berat Jakupi është në rrugë të mbarë që edhe një herë të përsëris suksesin e madh kur në kategorinë “U21” ishte kampion i Evropian.

Në kuadër të Kampionatit Evropian për senior që po mbahet në Turqi, Berat Jakupi është kualifikuar në finale, që do të mbahet të shtunën.

Nga Turqia enkas për PORTALB.mk ka folur Berat Jakupi, i cili mes tjerash ka komentuar kualifikimin deri në finale. “Padyshim se është një sukses I madh për mua, pasi që kisha shumë luftëra të vështira dhe secila nga to ishte më e vështirë se tjetra, ku u përballa me kampion aktual të Evropës dhe Botës, ndërsa nga ana tjetër unë po kthehesha pas shumë lëndimeve dhe një rikthim i tillë ishte shumë i nevojshëm për mua, por mbi të gjitha pas shumë stërvitjeve dhe punës së madhe që kam bërë viteve të fundit, besoj që në fund po shpërblehet me kualifikimin në finale, por puna ende nuk është kryer, por besoj që pasi të mbarojë finalja, do të kemi edhe lajme më të mira.

Jakupi për të arritur deri në finale triumfoi ndaj karateistit rus Denis Denisenko me 2:1, më pas në xhiron e dytë ndaj bjellorusit Anton Isakao fitoi me deklarim si më i miri pasi lufta përfundoi 0:0. Në xhiron e tretë ishte më i mirë se boshnjaku Meris Muhoviç të cilin e mundi me rezultatin 2:1, derisa në xhiron e katërt mundi poashtu me rezultat 2:1 kampionin Evropian dhe Botëror, George Tsanos nga Greqia.

Berat Jakupi në finale për titullin e më të mirit në Evropë, do të ketë përballë turkun Aktash Ugur, një karateist i mirë, i cili do të garojë para publikut vendas, meqë kampionati evropian po zhvillohet në qytetin Koxhaeli të Turqisë, por Berat Jakupi ka thënë se në dy përballjet e mëparshme ka dalë triumfues ndaj turkut pikërisht në Turqi dhe për te nuk do të thotë asgjë që gara zhvillohet para publikut vendas të karateistit turk, Ugur.

“Për mua nuk ka rëndësi se ku mbahet kampionati, sepse pikërisht turkun Ugur e kam fituar dy herë në Turqi dhe kjo nuk do të thotë se ai do të ketë avantazh në finale, por gjithsesi tani gjithçka fillon nga zero dhe një gabim i vogël mudë të vendosë gjithçka në finale”, ka thënë për PORTALB.mk , Berat Jakupi, i cili nëse shpallet kampion Evropian në kategorinë e seniorëve, atëherë ai do të fiton pension sportiv të përhershëm nga Republika e Maqedonisë në bashkëpunim me Agjencinë për Rini dhe Sport. /Portalb.mk/