Partitë politike i kanë të hapura të gjitha skenarët për formimin e qeverisë së re. Lëvizja Besa thotë se pa plotësimin e tre kushteve as që mendon të jetë pjesë e pushtetit. Sipas përfaqësuesve të saj kjo parti do të jetë pjesë e qeverisë vetëm nëse partitë e tjera i largojnë njerëzit që janë të përfshirë në hetimet e Prokurorisë Speciale, nëse kanë gatishmëri për të biseduar për ridefinimin e shtetit si dhe për marrëveshje transparente dhe të afatizuar.

“Për shkak se Maqedonia gjendet në pozitë të jashtëzakonshme dhe në një krizë shumë të thellë, ne kemi lënë hapur edhe opsionet për një qeveri tjetër ku nëse ju duhen numrat tonë, ne do të përkrahnim vetëm nëse pranohen çështjet strategjike në interes të shqiptarëve. Kjo nuk domethënë që domosdoshmërish ne të jemi pjesë e asaj qeverie, kështu që kryesia e Besës nuk ka marrë qëndrim definitiv nëse do të jete pjesë e qeverisë apo jo”, deklaroi Afrim Gashi, Lëvizja BESA.

Aleanca për shqiptarët thotë se vazhdon ti mbetet besnike Platformës së përbashkët gjithëshqiptare dhe çdo koalicionim ose bashkëpunim pa plotësimin e kushteve të tyre siç janë zyrtarizmi i shqipes në tërë territorin e Maqedonisë, modeli binacional i funksionimit të sistemit dhe institucioneve, buxhet me prerje lokale, votim të Ligjit për vazhdimin e punës së PSP-së dhe Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve, zgjidhjen e proceseve të montuara politike, e të tjerë, është i pamundur.

“Aleanca për shqiptarët” është konzistente në qëndrimin e saj lidhur me koalicionimet e mundshme. Parim themelor do të jetë pranimi i Platformës së përbashkët gjithë-shqiptare. E kemi thënë disa herë në fushatë dhe qëndrojmë fuqishëm pas idesë se partitë shqiptare që kanë mandate në Kuvend duhet të koordinohen mes vete për të hartuar Platformën e përbashkët gjithë-shqiptare me qëllim të realizimit të aspiratave të shqiptarëve”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, Lëvizja Besa fitoi 5 mandate ndërsa Aleanca për Shqiptarët tre mandate deputetësh./alsat-m